Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërkuesit e kripës në Sahara

Kërkuesit e kripës në Sahara

Kërkuesit e kripës në Sahara

TEKSA ecim me fuoristradë, vetëtimthi kalojnë para syve tanë shtylla druri. Këto tregojnë nga duhet të shkosh kur stuhitë e rërës ta mjegullojnë rrugën. Ç’është e vërteta, stuhi të tilla ndodhin rëndom këtu në Shkretëtirën e Saharasë.

Rruga që po përshkojmë, ndjek gjurmët e një rruge të vjetër devesh që lidh qytetin e Agadesit, në qendër të Nigerit, me kufirin algjerian e shkon përtej tij. Vendmbërritja jonë është fshati i vogël i Tegida-n-Tesumit, një qoshe e skajshme e banuar, 200 kilometra në veriperëndim të Agadesit. Atje, 50 familje nxjerrin kripë të çmuar nga argjila e Saharasë duke përdorur metoda të lashta.

Kodrina artificiale dhe pellgje plot ngjyra

Përpara nesh dalin në shkretëtirë kodrina. Atje është vendi ku duhet të shkojmë. Udhërrëfyesi ynë e ndal makinën afër një kodrine 10 metra të lartë dhe na fton të zbresim e të ngjitemi në majë të saj për të soditur fshatin. Ndërsa çapitemi kodrinës përpjetë, ai na shpjegon se ky pirg dhe të tjerë si ai janë krijuar nga mbetjet e hedhura për vite të tëra gjatë nxjerrjes së kripës në këtë zonë.

Na bën për vete pamja që shohim nga maja. Thuajse gjithçka poshtë në fshat ka ngjyrën e baltës së pjekur: toka, muret, çatitë. E vetmja gjë që e thyen pak është e gjelbra e gjetheve të dy pemëve që vigjilojnë si roja në dy skajet e fshatit. Gardhet dhe shtëpitë janë prej balte. Ndërtesat njëngjyrëshe bëjnë kontrast me ngjyrat e larmishme të qindra pellgjeve të kripës aty pranë. Zona zien si koshere bletësh: burra, gra, fëmijë, të gjithë punojnë pa u lodhur.

Veçantia e nxjerrjes së kripës

Tek zbresim nga vendi ynë strategjik, udhërrëfyesi na shpjegon procesin për nxjerrjen e kripës që fshatarët e përdorin nga shumë breza. Ai thotë: «Ka vetëm dy lloje pellgjesh. Në pellgjet e mëdha, me diametër rreth 2 metra, kullon uji plot kripë. Pellgjet e vogla janë për avullim. Uji që vjen nga 20 burime të zonës është vetë shumë i njelmët. Gjithsesi, burimi kryesor i kripës nuk është uji, por toka, dhe pikërisht kjo e bën të veçantë punën për nxjerrjen e kripës.» Si nxirret kripë nga toka?

Vërejmë një burrë që po hedh dhé në një pellg të madh të mbushur deri në buzë me ujë burimi. Ai e shtyp me këmbë përzierjen, siç shtypet rrushi për verë. Kur i duket që e ka shtypur mjaft, e lë këtë përzierje të kripur të precipitojë për disa orë. Përqark ka pellgje të mëdha mbushur dëng me të njëjtën përzierje balte. Pellgjet kanë nuanca të ndryshme të kafesë, pasi ngjyra ndryshon teksa balta fundërron.

Aty pranë një burrë tjetër me susak—enë e bërë nga kungullujësi—nxjerr ujë të kripur nga një pellg dhe e hedh në pellgjet e vogla. Zakonisht këtë pjesë të procesit e bëjnë burrat. Ata merren edhe me mirëmbajtjen e pellgjeve. Disa pellgje janë gropa që i ka pasur vetë toka, kurse të tjerat janë hapur në shkëmb. Aty ku s’mund të gërmohet, burrat e hedhin baltën në formë rrethi sipër shkëmbit. Më tej krijojnë mure balte me dorë dhe e rrahin këtë ledh me një shkop derisa forcohet. Këto pellgje duhen riparuar e rindërtuar çdo vit.

Ç’bëjnë gratë? Ato bëjnë punën e rëndë të ngritjes së ngarkesave, që gjithnjë të jetë gati për përpunim një sasi e mirë dheu i kripur. Veç kësaj, heqin kristalet e kripës nga pellgjet e avullimit. Më tej i pastrojnë mirë pellgjet dhe i bëjnë gati për herën tjetër.

Ndërkaq fëmijët rendin rreth e qark pellgjeve të vogla. Puna e tyre është të këqyrin procesin e avullimit. Teksa uji avullon nga pellgjet, në sipërfaqe krijohen kristale. Po të mos ngacmohet, kjo kore kripe mund të bllokojë avullimin. Prandaj fëmijët e spërkatin sipërfaqen me ujë për të çarë koren, që kristalet të shkojnë në fund të pellgut. Avullimi vazhdon derisa të mbetet vetëm kripa e shumëpritur.

Pse pellgjet kanë lloj-lloj ngjyrash të bukura? Udhërrëfyesi shpjegon: «Kjo zonë ka tri lloje kryesore argjile ose balte dhe çdo lloj i jep ngjyrën e vet ujit. Ngjyra ndryshon edhe në varësi të kripësisë. Në disa pellgje rriten edhe alga që e ndryshojnë ngjyrën e ujit.» Gjithashtu vërejmë se ngjyrat dhe nuancat e pellgjeve ndryshojnë ndërkohë që rrezet e diellit përvëlues ndërrojnë këndin e pasqyrimit.

Kripa si para

Në fshat, gratë i japin kripës së lagësht e të papërpunuar formën e bukës ose të kulaçit dhe e thajnë në diellin përzhitës. Ato nuk e pastrojnë kripën, prandaj ruhet ngjyra e kafenjtë. Na bie në sy që gratë bëjnë tri forma: vezake, rrumbullake dhe trekëndëshe. Njëra nga gratë na shpjegon se format vezake dhe rrumbullake shiten, kurse ato trekëndëshe janë për dhurata.

Kush e blen kripën? Nomadët dhe tregtarët e kripës. Ata kalojnë nëpër Tegida-n-Tesum dhe këmbejnë ushqime e mallra të tjera me kripë. Shumica e kripës do të shitet në tregjet e qyteteve në periferi të shkretëtirës. Kripa e patrajtuar e këtij fshati ka shumë të ngjarë të mos përdoret për njerëzit, por në ushqimin e kafshëve shtëpiake.

Ndërsa kthehemi te fuoristrada, na zë syri një burrë që po heq mbeturinat e dheut nga një pellg kullimi i boshatisur. Dheun e çon te vendi i grumbullimit, dhe kështu jep një kontribut të vogël për kodrinat artificiale. Teksa largohemi, mendojmë se këto kodrina janë dëshmitare të brezave të kërkuesve të kripës, që jetuan, punuan e vdiqën në Tegida-n-Tesum.​—Nga një bashkëpunëtor.

[Diçitura në faqen 22]

«Burimi kryesor i kripës nuk është uji, por toka, dhe pikërisht kjo e bën të veçantë punën për nxjerrjen e kripës»

[Harta në faqen 21]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

SAHARA

NIGER

Agades

Tegida-n-Tesum

[Burimi]

Sipas NASA/​Visible Earth imagery

[Figura në faqen 23]

Nxjerrin kripë të çmuar nga argjila e Saharasë

[Burimi]

© Victor Englebert

[Figura në faqen 23]

Pellgjet e avullimit kanë lloj-lloj ngjyrash

[Burimi]

© Ioseba Egibar/​age fotostock

[Figura në faqen 23]

Kallëpet e kripës në formë buke thahen në diellin përzhitës