Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kriza e ujit: Çfarë po bëhet?

Kriza e ujit: Çfarë po bëhet?

Kriza e ujit: Çfarë po bëhet?

Kriza e ujit ka mbërthyer botën. Ajo vë në rrezik shëndetin e miliarda banorëve të tokës. Ç’hapa janë bërë që të normalizohen shpërndarja dhe përdorimi i ujit?

AFRIKA E JUGUT: «Të varfrit në Durban marrin ujin e mohuar prej kohësh». Ky është titulli i një artikulli në revistën Science. Artikulli bën të ditur se të varfrit që jetojnë atje, nuk kanë pasur ujë të mjaftueshëm për dekada të tëra, si pasojë e apartejdit, politikë e qeverive të mëparshme, që tani ka marrë fund. Në vitin 1994, siç thotë artikulli, «çerek milionë familje në Durban nuk kishin fare ujë të pastër ose kanalizime të ujërave të zeza».

Që të ndreqej situata, më 1996 një inxhinier ndërmori një program që do t’i siguronte çdo familjeje rreth 200 litra ujë në ditë. Rezultati? «Nga 3,5 milionë banorët e Durbanit, vetëm 120.000 nuk furnizohen me ujë të pastër»,—thotë Science. Sot, në rastin më të keq, ujin e kanë veç disa hapa larg—goxha përparim në krahasim me të kaluarën, kur mjaft veta bënin mbi 1 kilometër për të marrë ujë.

Revista Science shpjegon se për të zgjidhur problemin e kanalizimeve të ujërave të zeza, «banjat e dikurshme të oborrit që kishin një gropë», po zëvendësohen me «banja me dy gropa, ku veçohet urina nga feçet, që këto të fundit të thahen e të dekompozohen më shpejt». Deri në fillim të 2008-s ishin vënë rreth 60.000 banja të tilla, ndonëse, siç u parashikua në atë kohë, do të duheshin edhe dy vite të tjera që të pajiseshin të gjitha shtëpitë me banja për të qenë.

Brazil: Në qytetin e Salvadorit, qindra fëmijë vuanin nga sëmundjet diarreike, ngaqë mungonin sistemi i ujërave të zeza dhe banjat. * Që të përmirësohej situata, bashkia shtroi 2.000 kilometra tubacione të ujërave të zeza për më se 300.000 familje. Ç’rezultate patën? Rastet e diarresë u pakësuan 22 për qind në mbarë qytetin dhe 43 për qind në zonat më të prekura.

Indi: Gjatë një periudhe të vitit, disa vende të botës kanë ujë të pastër me bollëk, mirëpo jo gjithnjë e përdorin me nikoqirllëk. Megjithatë, në vitin 1985 disa gra indiane në krahinën e Dolerës, në shtetin veriperëndimor të Gujaratit, gjetën një mënyrë të mençur për ta kursyer ujin. Organizuan një grup për të ndërtuar një rezervuar sa një fushë futbolli për mbledhjen e ujit. Më pas e veshën me plastmasë të fortë, që uji të mos rridhte. Nisma që morën, doli me sukses. Kishin ujë edhe disa muaj pas stinës tjetër të musoneve, ndonëse «ftonin edhe të tjerë për të pirë».

Kili: Ky vend i Amerikës së Jugut shtrihet 4.265 kilometra përgjatë bregut të Paqësorit në perëndim dhe vargmaleve të Andeve në lindje. Shteti vendos kujt i përket uji dhe autorizon ndërtimin e digave e të kanaleve. Rezultati? Tani 99 për qind e banorëve të qyteteve dhe 94 për qind e atyre të fshatrave marrin ujë të mjaftueshëm.

Zgjidhja përfundimtare

Me sa duket, çdo shtet ka metodën e vet për të përballuar krizën e ujit. Në disa vende që rrihen vazhdimisht nga erëra të mbara, mullinjtë me erë nxjerrin ujë në sipërfaqe, si edhe prodhojnë elektricitet. Në shtetet më të pasura shihet si zgjidhje e kënaqshme edhe shkripëzimi i ujit të detit. Mjaft vende e grumbullojnë në diga gjigante ujin e lumenjve dhe të shiut. Kjo metodë ka qenë disi e frytshme, ndonëse në zonat e thata ndodh të avullojë rreth 10 për qind e ujit të rezervuarëve.

Dëshmitarët e Jehovait, botuesit e kësaj reviste, besojnë se zgjidhjen përfundimtare për krizën e ujit e ka në dorë Perëndia, jo njeriu. Bibla thotë: «Jehovait [Perëndisë] i përket toka dhe çdo gjë që është në të, vendi dhe të gjithë ata që banojnë në të. Sepse ai ia ka vënë themelet mbi dete dhe e ka vendosur patundshmërisht mbi lumenjtë.»—Psalmi 24:1, 2.

Vërtet, Perëndia u caktoi njerëzve përgjegjësinë që të kujdeseshin për këtë planet. (Zanafilla 1:28) Megjithatë, keqadministrimi i burimeve të tokës nga njeriu, tok me pasojat shkatërrimtare që ka sjellë kjo, japin dëshmi të mëtejshme se «njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet».—Jeremia 10:23.

Çfarë do të bëjë Jehovai që t’i kthejë tokës ekuilibrin e përsosur? Bibla na siguron se ai ka si qëllim ‘të bëjë çdo gjë të re’. (Zbulesa 21:5) Përfytyroni një botë pa skamje, pa thatësira, ku uji nuk mungon. Përfytyroni një botë ku s’ndodhin përmbytje nga shirat e furishëm që rrëmbejnë me mijëra jetë çdo vit. Nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, premtimet e Tij të shumta do të plotësohen. Vetë Jehovai ka thënë: «Fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.»—Isaia 55:11.

A ju pëlqen të mësoni më shumë për qëllimin e Perëndisë që ta përtërijë tokën, i cili tregohet në Fjalën e tij, në Bibël? Artikulli vijues do të shpjegojë si ta bëni këtë.

[Shënimi]

^ par. 6 Çdo vit, anembanë botës vdesin afro 1,6 milionë fëmijë nga sëmundjet diarreike. Janë më shumë sesa numri i viktimave të SIDA-s, tuberkulozit dhe malarjes të marra së bashku.

[Diçitura në faqen 5]

«Ku nuk ka ujë, nuk ka jetë. . . . Uji na mban gjallë.»—Majkëll Parfiti, shkrimtar i «National Geographic»

[Diçitura në faqen 6]

Për të prodhuar një ton drithë duhen 1.000 tonë ujë

[Diçitura në faqen 6]

«70 për qind e ujit në mbarë botën shkon për vaditje.»—Plani B 2.0, nga Lester R. Brauni

[Grafikët dhe figurat në faqen 7]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Sa ujë të ëmbël kemi në dispozicion?

Gjithë uji

97,5% ujë i kripur

2,5% ujë i ëmbël

Uji i ëmbël

99% në akullnaja e ajsbergë ose nën tokë

1% në dispozicion të afro shtatë miliardë njerëzve dhe miliarda e miliarda gjallesave të tjera

[Figura në faqen 7]

Vendosen tubacione për të sjellë ujë të pastër, Durban, Afrika e Jugut

[Burimi]

Me mirësjellje nga eThekwini Water and Sanitation Programme

[Figura në faqen 7]

Gra që punojnë për të mbledhur ujin e shiut, Raxhastan, Indi, 2007

[Burimi]

© Robert Wallis/​Panos Pictures

[Figura në faqen 7]

Vendësit punojnë për një rrjet ujësjellës të ri për fshatin e tyre pranë qytetit të Kopanit, Honduras

[Burimi]

© Sean Sprague/​SpraguePhoto.com