Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur dielli u skuq

Kur dielli u skuq

Kur dielli u skuq

PËR disa muaj, gjatë verës së vitit 1783, një mjegull e çuditshme, pa lagështirë, pllakosi pjesën më të madhe të Hemisferës Veriore. Dielli u bë gjak i kuq, bimët u thanë dhe sa e sa njerëz vdiqën. Sipas llogaritjeve, vetëm në Francë dhe në Angli, mjegulla mori dhjetëra mijë jetë njerëzish. Shumë të tjerë u sëmurën. Me sa duket, ishin kaq shumë, saqë fermerët rropateshin për të gjetur punëtorë që t’u vilnin të mbjellat e padëmtuara.

Kjo mjegull është quajtur «një nga dukuritë më të jashtëzakonshme meteorologjike dhe gjeofizike të mijëvjeçarit të fundit». Megjithatë, asokohe, vetëm banorët e Islandës e dinin shkakun: një shpërthim vullkanik në atë vend. Sipas specialistëve, një shpërthim i tillë ndodh një herë në disa shekuj. Kuptohet që goditjen më të rëndë e mori Islanda, e cila humbi gati 20 për qind të popullsisë.

Shpërthimi i çarjes Laki

Më 8 qershor 1783, banorët e zonës së Sidhës, në jug të Islandës, panë shenjat e para ogurzeza të atij që sot njihet si shpërthimi i çarjes Laki. Ngaqë ngjarja u dokumentua nga vrojtues në një sërë vendesh, studiuesit kanë arritur të krijojnë një hartë që tregon rrugën që ndiqte çdo ditë reja vullkanike. Një nga dëshmitarët okularë në Islandë, Jon Stajngrimsoni, shkroi se kishte parë «një mjegull të zezë» që zgjerohej më në jug. Sipër tij qielli u nxi dhe toka u mbulua me hi të imët. Sakaq filluan tërmetet dhe dridhjet. Ai vërejti se, pas një jave, «një lumë zjarri i tmerrshëm u derdh nga kanioni i Skaftaut», duke përpirë gjithçka që i dilte para. Stajngrimsoni e dokumentoi ngjarjen për tetë muaj.

Gjatë një dukurie që teknikisht quhet shpërthim me vërshim kontinental bazalti, nga një çarje 25 kilometra e gjatë në koren e tokës dolën 15 kilometra kub lavë, më shumë se nga çdo shpërthim vullkanik i dokumentuar. Shkëmbinj të shkrirë e të përflakur shpërthyen si shatërvanë qindra metra në ajër, lava vërshoi nja 80 kilometra nga çarja dhe mbuloi 580 kilometra katrorë, duke mbuluar shtratin e lumit Skaftau.

Vitin pasues, hiri dhe lëndët toksike që kishin rënë mbi barin e Islandës, vranë më shumë se 50 për qind të gjedhëve dhe rreth 80 për qind të kuajve e të dhenve. Zia e bukës mori dhenë. Çarja Laki lëshoi në atmosferë edhe rreth 122 milionë tonë dyoksid squfuri. Kjo lëndë bashkëveproi me avujt e ujit dhe krijoi rreth 200 milionë tonë aerosol acid. *

Pasoja për vende të largëta

Atë verë, era e çoi ajrin e dëmshëm tutje në largësi të mëdha. Në Britani dhe Francë, njerëzit flitnin për një «mjegull të çuditshme ose mjegull tymi» që askush s’mbante mend të kishte parë ndonjëherë. Kjo mjegull kutërbuese me squfur shkaktoi probleme me frymëmarrjen, dizenteri, dhembje koke, acarim sysh, dhembje fyti dhe probleme të tjera. Reja e dendur e dyoksidit të squfurit, si dhe acidi sulfurik qenë vdekjeprurës për pleq e të rinj.

Në një raport nga Gjermania thuhej se, brenda një nate, reja toksike thau gjethet e pemëve përgjatë brigjeve të lumit Ems. Në Angli, perimet u vyshkën dhe gjethet u thanë sikur të ishin përzhitur. Raporte të ngjashme erdhën nga Franca, Holanda, Hungaria, Italia, Rumania, Skandinavia dhe Sllovakia. Po, mjegulla kimike u vërejt tutje deri në Portugali, Tunizi, Siri, Rusi, Kinën Perëndimore dhe Njufaundlend.

Sipas treguesve, atmosfera e dendur me lëndë toksike, që bllokoi rrezet e diellit, ndikoi edhe te temperatura. Në vitin 1784, temperatura në Evropën kontinentale ishte dy gradë më e ulët se mesatarja atje gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 18-të. Islanda ishte thuajse 5 gradë më e freskët. Në Amerikën e Veriut, dimri 1783-1784 ishte kaq i ftohtë sa, sipas raporteve, pllakat e akullit «pluskuan nga Misisipi . . . deri në gjirin e Meksikës».

Sipas disa studiuesve, rreziku i zhdukjes që iu kanos popullit kauiraki—një grup inuitësh në veriperëndim të Alaskës—mund të ketë ardhur nga zia e bukës që shkaktoi shpërthimi i Lakit. Të dhënat e mbledhura nga rrathët e pemëve tregojnë se vera e vitit 1783 ishte më e ftohta që kishte parë Alaska në 400 vjet. Madje, ka një gojëdhënë kauirake që flet për një vit kur stina e ngrohtë mbaroi në qershor dhe pas kësaj nisi i ftohti i acartë dhe uria.

Laki dhe bota moderne

Pluhuri i harresës thuajse e ka mbuluar katastrofën natyrore të vitit 1783. Kanë kaluar shumë kohë që atëherë e, veç kësaj, shumica që e përjetuan, s’e dinin shkakun. Megjithatë, në Islandë shpërthimi i Lakit kujtohet si fatkeqësia më e madhe natyrore në historinë e vendit.

Disa e interpretuan katastrofën si ndëshkim hyjnor. Por Bibla nuk e mbështet këtë pikëpamje. (Jakovi 1:13) Perëndia nuk vepron pa dallim, si me të ligun ashtu edhe me të drejtin, pasi «të gjitha udhët e tij janë drejtësi». (Ligji i përtërirë 32:4) Drejtësia do të tregohet në një mënyrë të jashtëzakonshme në të ardhmen, kur Perëndia të vërë dorë në çështjet e njerëzimit. Bibla thotë se qëllimi i tij është të çrrënjosë të gjitha shkaqet e vdekjes dhe të vuajtjes, ku përfshihen edhe katastrofat natyrore.—Isaia 25:8; Zbulesa 21:3, 4.

[Shënimi]

^ par. 7 Dyoksidi i squfurit është një ndotës problematik i ajrit sot që shkakton shiun acid. Ky gaz përftohet nga djegia e lëndëve djegëse fosile, si qymyrguri, gazi natyror dhe nafta.

[Figura në faqet 14, 15]

Fotografi nga lart e së çarës Laki

[Figura në faqet 14, 15]

Shatërvan lave inkandeshent

[Figura në faqen 15]

Pamje e Islandës nga sateliti

[Burimet e figurave në faqen 14]

Shatërvani i lavës: © Tom Pfeiffer; fotografia nga lart: U.S. Geological Survey; fotografia nga sateliti: Jacques Descloitres, MODIS Rapid Response Team, NASA/​GSFC