Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse grindemi gjithnjë?

Pse grindemi gjithnjë?

Të rinjtë pyesin

Pse grindemi gjithnjë?

Në situatën e mëposhtme, Rakela e ndez më shumë grindjen në tri mënyra. A mund t’i dallosh ato? Shkruaji përgjigjet më poshtë dhe pastaj krahasoji me kutinë «Përgjigjet» në fund të artikullit.

Është e mërkurë në darkë. Rakela 17-vjeçare i ka mbaruar punët që i kanë dhënë dhe më në fund e ka hak pak pushim. Ndez televizorin dhe rehatohet në kolltukun e saj të preferuar.

Pikërisht atë çast, te dera shfaqet mami dhe nuk duket e kënaqur. Ajo thotë: «Rakela! Pse rri kot para televizorit në vend që të ndihmosh tët motër për detyrat e shtëpisë? Kurrë s’ta dëgjon fjalën!»

​—⁠Ia filloi prapë,​​—⁠murmurit me zë Rakela sa të dëgjohet.

Me duart në mes mami ia kthen: «Çfarë the zonjushë?»

​—⁠Hiç mami,​​—⁠thotë Rakela duke shfryrë dhe në fytyrë shpreh bezdisje.

Tani po që mami inatoset. «Mos më fol mua me atë ton!»​​—⁠i thotë.

​—⁠Po ti çfarë toni po përdor me mua?​​—⁠ia kthen Rakela flakë për flakë.

Kaq e pati dhe pushimi. . . . Ia filloi prapë grindja.

1. ․․․․․

2. ․․․․․

3. ․․․․․

A TË duket e njohur skena e mësipërme? A grindesh vazhdimisht me prindërit? Nëse po, ndalu pak dhe mendo për situatën. Cilat çështje shkaktojnë më shpesh grindje? Vër një shenjë anash atyre që zbatohen në rastin tënd ose shto vetë ndonjë temë përbri zërit «Tjetër».

◯ Sjellja

◯ Punët e shtëpisë

◯ Veshja

◯ Kufizimi i orarit

◯ Zbavitja

◯ Shoqëria

◯ Gjinia tjetër

◯ Tjetër ․․․․․

Cilido qoftë shkaku, grindjet të sjellin stres qoftë ty, qoftë prindërve të tu. Sigurisht, edhe mund të kafshosh gjuhën e të bësh gjoja sikur je dakord për gjithçka që thonë prindërit. Por a pret këtë Perëndia prej teje? Jo. Vërtet, Bibla thotë ‘të nderosh atin dhe nënën tënde’. (Efesianëve 6:2, 3) Por, të nxit edhe të zhvillosh ‘aftësinë për të menduar’ e të përdorësh ‘fuqinë tënde për të arsyetuar’. (Proverbat 1:1-4; Romakëve 12:1) Kur e bën këtë, do të kesh se s’bën pikëpamje të forta, e këto nganjëherë ndryshojnë nga pikëpamjet e prindërve. Sidoqoftë, në familjet që zbatojnë parimet biblike, prindërit dhe fëmijët mund të komunikojnë me qetësi, edhe kur nuk janë në një mendje.—Kolosianëve 3:13.

Si të shprehesh pa e kthyer një bisedë normale në luftë? Është kollaj të thuash: «Prindërit e kanë fajin. Në fund të fundit, ata më rrinë gjithnjë mbi kokë!» Por mendo: a varet shumë nga ti si do të sillen të tjerët, përfshirë edhe prindërit? Vërtet, i vetmi person të cilin e ke në dorë ta ndryshosh është vetja jote. Por kjo e ka një dobi, sepse, po të bësh pjesën tënde për të qetësuar situatën, ka më shumë të ngjarë që prindërit të jenë të qetë dhe të të dëgjojnë kur do të thuash diçka.

Pra, le të shohim ç’mund të bësh ti për të shuar zjarrin. Zbato sugjerimet e mëposhtme dhe, si prindërit, ashtu edhe ti vetë mund të habiteni sa i aftë je bërë për të komunikuar.

(Sugjerim: vër një shenjë përbri sugjerimeve që ke nevojë të punosh.)

Mendohu para se të përgjigjesh. Bibla thotë: «Zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet.» (Proverbat 15:28) Mos nxirr nga goja të parën gjë që të vjen kur ndihesh i sulmuar. Për shembull, ta zëmë se mami të thotë: «Pse nuk i lave enët? Kurrë s’ta dëgjon fjalën!» Një përgjigje rrufe mund të ishte: «Pse s’më le rehat?» Por përdor aftësinë për të menduar. Përpiqu të kuptosh ndjenjat që qëndrojnë pas fjalëve të mamit. Zakonisht, shprehjet që kanë fjalë të tilla, si «gjithmonë» dhe «kurrë» nuk duhen marrë fjalë për fjalë. Prapëseprapë, tregojnë se pas tyre fshihet një ndjenjë. Çfarë?

Mbase mami është e mërzitur, pasi ndien që po mban më tepër se ç’i takon nga barra e punëve të shtëpisë. Mbase ajo thjesht dëshiron ta sigurosh që ti e mbështet. Pastaj, për të qenë të sinqertë, ndoshta e ke bërë rrugë që t’u bësh bisht punëve të shtëpisë. Sido që të jetë, përgjigjja: «Pse s’më le rehat?» nuk të çon gjëkundi, veçse në grindje. Kështu, pse të mos e qetësosh mamin? Për shembull, mund të thuash: «E shoh që je e mërzitur, mami. Ja, tani do t’i laj enët.» Vetëm kujdes: mos fol me ironi. Një përgjigje që tregon mirëkuptim ka mjaft të ngjarë ta qetësojë tensionin mes jush.

Më poshtë shkruaj cilat shprehje të babit ose të mamit mund të të nxehin, po ta lejosh veten.

․․․․․

Tani mendo një përgjigje që tregon mirëkuptim e që mund ta përdorësh për të qetësuar ndjenjat që qëndrojnë pas fjalëve të prindërve.

․․․․․

Fol me respekt. Mishela ka mësuar nga përvoja sa e rëndësishme është mënyra si flet me të ëmën. «S’ka rëndësi si është puna,—thotë ajo,—gjithnjë mami kapet me tonin e zërit tim.» Nëse edhe ty të ndodh shpesh kjo, mëso të flasësh qetë, ngadalë dhe mos shfry ose mos bëj ndonjë gjest që tregon bezdisje. (Proverbat 30:17) Nëse e ndien se po të ngrihen nervat, bëji në heshtje një lutje të shkurtër Perëndisë. (Nehemia 2:4) Natyrisht, qëllimi i lutjes nuk është që Perëndia të të ndihmojë që «prindërit të të lënë rehat», por të ruash vetëkontrollin, e kështu të mos i hedhësh dru zjarrit.—Jakovi 1:26.

Në hapësirën më poshtë, shkruaj disa fjalë dhe veprime që bën mirë t’i shmangësh.

Reagime me fjalë (ajo që thua):

․․․․․

Reagime pa fjalë (shprehja e fytyrës dhe gjestet):

․․․․․

Dëgjo. Bibla thotë: «Në fjalët e shumta faji nuk mungon.» (Proverbat 10:19, Diodati i Ri) Pra trego kujdes që t’i japësh babit ose mamit mundësi të flasë dhe ji shumë i vëmendshëm. Fike muzikën, lëre librin ose revistën që ke në dorë dhe shihe prindin në sy. Mos e ndërprit për t’u justifikuar. Vetëm dëgjo. Pastaj, kur të ketë mbaruar, do të kesh boll mundësi të bësh pyetje dhe të thuash mendimin tënd. Nga ana tjetër, po të ngulësh këmbë dhe ta thuash në çast pikëpamjen tënde, vetëm sa do t’i keqësosh gjërat. Edhe sikur të kesh më shumë për të thënë, mbase kjo është pikërisht ‘koha për të heshtur’.—Eklisiastiu 3:7.

Ji gati të falësh. Është gjithnjë mirë të thuash «më fal» për ndonjë gjë që ke bërë e që i ka fryrë zjarrit. (Romakëve 14:19) Madje mund të thuash se të vjen keq që u grindët. Po ta kesh të vështirë ta bësh ballë për ballë, provo t’i shprehësh ndjenjat me shkrim. Më tej, bëj më shumë nga ç’të kërkohet duke iu bindur asaj që të thonë e që ndezi grindjen. (Mateu 5:41) Për shembull, nëse ke lënë pas dore ndonjë detyrë, dhe kjo ishte shkëndija e grindjes, pse të mos e kryesh, e kështu prindërit të befasohen? Edhe sikur të mos e pëlqesh atë punë, a nuk është më mirë ta bësh sesa të përballesh me pasojat kur prindërit të shohin se akoma e ke lënë pas dore?—Mateu 21:28-31.

Në fund, kur përpiqesh ta zgjidhësh problemin ose ta parandalosh grindjen, jeta do të bëhet më e lehtë për ty. Bibla thotë se njeriu «që sillet me dashamirësi, shpërblen shpirtin e vet». (Proverbat 11:17) Pra, mendo çfarë dobish do të kesh po të bësh pjesën tënde që të ulësh tensionin mes teje dhe prindërve.

Familjet e suksesshme kanë mosmarrëveshje, por dinë t’i zgjidhin me qetësi. Praktikoji sugjerimet e trajtuara në këtë artikull dhe mbase do të arrish të diskutosh edhe tema më të vështira me prindërit pa u grindur.

PËR TË MENDUAR

● Pse disa nga moshatarët e tu shpesh mendojnë se është mirë të grindesh?

● Pse për Jehovain është i marrë ai që e ka zakon të grindet? —Proverbat 20:3.

[Kutia dhe figurat në faqen 27]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

«M’u desh të kuptoja se, edhe pse punoj dhe e nxjerr vetë lekun, jetoj ende në shtëpinë e mamit, ndaj duhet ta dëgjoj. Ajo është kujdesur për mua për shumë vjet, prandaj kur më kontrollon, si për shembull orarin kur kthehem në shtëpi, e kuptoj fare mirë.»

«Nëse nuk biem dakord për ndonjë gjë me prindërit, lutemi, shqyrtojmë informacione rreth asaj teme dhe e diskutojmë. Kështu, gjithmonë dalim në një përfundim të përbashkët. Kur përfshijmë edhe Jehovain, problemi gjithnjë zgjidhet.»

[Figurat]

Danieli

Kameroni

[Kutia në faqen 29]

PËRGJIGJET

1. Ironia («Ia filloi prapë.») vetëm sa i hodhi dru zjarrit ndërkohë që mami ishte e mërzitur.

2. Shprehja e fytyrës së Rakelës, që tregonte bezdisje, vetëm sa e nxiti grindjen.

3. Po t’ua kthesh flakë për flakë («Po ti çfarë toni po përdor me mua?») thuajse gjithnjë del për keq.

[Kutia në faqen 29]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

Hidhi një sy situatës që hap këtë artikull. A mund të dallosh disa nga gjërat që bëri nëna e Rakelës që vetëm sa e acaruan grindjen? Si ta shmangësh grindjen me fëmijën tënd adoleshent? Më poshtë ka disa sugjerime për t’u mbajtur parasysh.

Shmang shprehjet përgjithësuese si: «Ti gjithmonë . . .» ose «Ti kurrë . . .» Këto shprehje vetëm sa e nxitin fëmijën të mbrohet. Tek e fundit, në përgjithësi ato janë ekzagjerime dhe fëmija yt e di këtë. Gjithashtu, ai mund të dijë se shprehjet përgjithësuese në të vërtetë më shumë tregojnë acarimin tënd, sesa papërgjegjshmërinë e tij.

Në vend që të përdorësh pohime të vrazhda që fillojnë me «ti», përpiqu të tregosh si ndikon sjellja e tij te ti. Për shembull: «Kur ti . . . , unë ndihem . . .» E beson apo jo, thellë-thellë ndjenjat e tua kanë rëndësi për fëmijën. Nëse i thua si ndihesh, ka shumë mundësi ta nxitësh të bashkëpunojë.

Sado e vështirë të jetë, përmbahu derisa ta ndiesh që e ke nën kontroll veten. (Proverbat 10:19) Në rast se tema që shkakton grindjen është rreth punëve të shtëpisë, diskutoje me fëmijën. Shkruaj çfarë kërkon konkretisht nga fëmija dhe, po të jetë e nevojshme, bëja të qarta pasojat nëse u bën bisht detyrave. Dëgjoje me durim kur shpreh mendimin e tij, edhe kur të duket i gabuar. Shumica e adoleshentëve reagojnë më mirë ndaj dikujt që i dëgjon, sesa ndaj dikujt që i mban leksion.

Para se të nxjerrësh shpejt përfundimin se fëmijën e ka rrëmbyer fryma rebele e botës, mbaj parasysh se shumë nga sa vëren është pjesë e zhvillimit të tij të natyrshëm. Fëmija mund të grindet për diçka thjesht për të treguar se po rritet. Përpiqu fort të mos përfundoni në grindje. Mos harro se mënyra si reagon ti ndaj provokimit, i jep një mësim fëmijës. Trego durim e shpirtgjerësi, dhe kështu do të jesh një shembull i mirë për birin a bijën tënde.—Galatasve 5:22, 23.

[Figura në faqen 28]

Të grindesh me prindërit është si të vraposh në vend: do të harxhosh mjaft energji, por nuk do të arrish gjëkundi