Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Poni i shetlandeve i fortë e i butë

Poni i shetlandeve i fortë e i butë

Poni i shetlandeve i fortë e i butë

● Nëse keni qenë ndonjëherë në kopsht zoologjik, mund të keni parë ose kalëruar një poni të Shetlandeve. Siç e tregon edhe emri, këta kuaj vijnë nga Ishujt Shetlande në verilindje të Skocisë. Në fakt, arkeologët që punojnë atje kanë nxjerrë kocka mijëvjeçare të ponëve të vegjël.

Poni i Shetlandeve dallohet lehtë nga këmbët e shkurtra, kreshta e bishti i gjatë, si dhe nga gëzofi i trashë që shërben për t’u mbrojtur nga dimri i egër i habitatit të tij. Këto kafshë arrijnë një lartësi nga 70 deri në 107 centimetra dhe në përgjithësi janë të zinj ose kafe. Zyrtarisht, maksimumi i lartësisë që njihet, është 107 centimetra, me përjashtim të ponëve të Shetlandeve në Amerikë, që nuk i kalojnë 117 centimetrat.

Ndonëse me shtat të vogël, poni i Shetlandeve është i fortë. Ç’është e vërteta, në raport me trupin, është kali më i fortë. Prandaj, historikisht është përdorur për të tërhequr plehun, për të pluguar tokën dhe për të punuar në miniera qymyrguri, ku vetëm kafshët e vogla mund të kalonin nëpër tunele. Shumë e kalonin gjithë jetën në miniera, pa dalë kurrë në dritën e diellit.

Kur stërviten siç duhet, kuajt e Shetlandeve janë të butë e të bindur, dhe kjo i bën idealë për fëmijët. Kohët e fundit, përdorimi i këtyre kuajve në terapitë për të gjymtuarit, ka sjellë rezultate pozitive si pasojë e natyrës së tyre të butë.

Ngaqë kanë veçori tërheqëse dhe aftësi për t’u përshtatur me mjedise të ndryshme, kuajt e vegjël të Shetlandeve janë eksportuar në të gjithë botën dhe janë hapur shumë klube e lista regjistrimi. Por emri ende i lidh ngushtësisht me shtëpinë e tyre, Ishujt Shetlande, ku kjo racë mbetet shumë e shëndetshme dhe gjenetikisht e pastër.

[Figura në faqen 24]

Në raport me trupin, poni i Shetlandeve është kali më i fortë

[Burimi i figurës në faqen 24]

© S Sailer/A Sailer/age fotostock