Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | NXIRR MË SHUMË DOBI NGA LEXIMI I BIBLËS

Pse ta lexosh Biblën?

Pse ta lexosh Biblën?

«Mendoja se Bibla ishte shumë e vështirë për t’u kuptuar.»​—Xhovi

«Mendoja se ishte e mërzitshme.»​—Kuini

«Kur shihja sa libër i madh ishte Bibla, më ikte fare dëshira për ta lexuar.»​—Ezekieli

A ke menduar ndonjëherë ta lexosh Biblën, por je stepur për ndonjë arsye si këto më sipër? Shumë veta tremben. Po nëse mëson se Bibla mund të të ndihmojë të kesh një jetë më të lumtur e më të bukur? Po sikur të zbulosh se ka disa mënyra që mund të ta bëjnë më interesant leximin e saj? A do të ishe gati t’i hidhje një sy asaj që të ofron Bibla?

Shqyrto vetëm disa komente nga ata që kanë nxjerrë dobi kur kanë filluar të lexojnë Biblën.

Ezekieli, në fillim të të 20-ave, thotë: «Në të kaluarën isha si dikush që e nget makinën pa një destinacion në mendje. Mirëpo, leximi i Biblës më ka ndihmuar të kem një jetë domethënëse. Aty gjej këshilla praktike për jetën e përditshme.»

Frida, gjithashtu në të 20-at, shpjegon: «Më parë isha impulsive. Por, nga leximi i Biblës kam mësuar të përmbahem. Tani jam tip më i shoqërueshëm, prandaj kam më shumë miq.»

Një grua në të 50-at, Eunika, thotë për Biblën: «Po më ndihmon të bëhem njeri më i mirë dhe të ndryshoj zakonet jo shumë të mira.»

Siç kanë mësuar këta lexues e miliona të tjerë, leximi i Biblës mund të të ndihmojë të bësh një jetë më të kënaqshme. (Isaia 48:17, 18) Ndër të tjera, mund të të ndihmojë (1) të marrësh vendime të mençura, (2) të zësh miq të vërtetë, (3) të përballosh stresin dhe, (4) ç’është më e mira, të mësosh të vërtetën për Zotin. Këshillat e Biblës vijnë nga Perëndia, prandaj nuk të del kurrë për keq po t’i ndjekësh. Perëndia nuk jep kurrë këshilla të këqija.

E rëndësishme është të fillosh ta lexosh. Cilat sugjerime praktike mund të ta bëjnë më të lehtë dhe të këndshëm leximin?