Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | NXIRR MË SHUMË DOBI NGA LEXIMI I BIBLËS

Çfarë do ta bënte interesant?

Çfarë do ta bënte interesant?

Si do të jetë leximi i Biblës për ty: i mërzitshëm apo përtëritës? Shumë varet nga mënyra si e lexon. Le të shohim si mund ta bësh më interesant dhe më të këndshëm leximin.

Zgjidh një përkthim të besueshëm në gjuhën e sotme. Nëse lexon një material me fjalë të mëdha, shumë të vështira ose të vjetruara që nuk i njeh, zor se do ta shijosh. Ndaj kërko një Bibël që përdor një gjuhë të lehtë për t’u kuptuar që do të të prekë zemrën. Në të njëjtën kohë duhet të jetë përkthim i bërë me kujdes e i saktë. *

Përdor teknologjinë moderne. Bibla sot është në dispozicion jo vetëm si libër i shtypur, por edhe elektronik. Disa mund të lexohen online ose të shkarkohen në kompjuter, tabletë a celular. Disa formate përmbajnë opsione shtesë falë të cilave mund të kontrollosh shpejt vargje të tjera biblike për të njëjtën temë ose edhe të krahasosh disa përkthime. Nëse parapëlqen të dëgjosh në vend që të lexosh, Bibla disponohet edhe e incizuar. Shumë kënaqen duke e dëgjuar ndërsa përdorin transportin publik, kur bëjnë punët e shtëpisë ose gjatë aktiviteteve që i lejojnë të dëgjojnë. Pse nuk provon një mënyrë të përshtatshme për ty?

Përdor mjete për studimin e Biblës. Mjetet për studimin e Biblës mund të të ndihmojnë të përfitosh edhe më shumë nga leximi. Ka harta për vendet biblike, që të ndihmojnë të gjesh vendet për të cilat po lexon dhe si lidhen ngjarjet me njëra-tjetrën. Artikuj të tillë si te kjo revistë ose te pjesa MËSIME BIBLIKE në sitin jw.org, do të të ndihmojnë të zbërthesh kuptimin e shumë pjesëve të Biblës.

Ndrysho metodë. Nëse leximi i Biblës nga fillimi në fund të duket shkurajues, pse të mos ta zgjosh interesin duke filluar me një pjesë që të duket veçanërisht tërheqëse? Nëse do që të mësosh për njerëz të famshëm në Bibël, mund të lexosh pjesë ku flitet për personazhe biblike. Në kutinë shoqëruese « Gërmo në Bibël dhe njih personazhet e saj» jepet një shembull. Ose mbase do që ta lexosh Biblën sipas temave a sipas radhës së ngjarjeve. Pse të mos provosh një nga këto metoda?

^ par. 4 Shumë kanë parë se Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re është i saktë, i besueshëm dhe mjaft i lehtë për t’u lexuar. Kjo Bibël, e prodhuar nga Dëshmitarët e Jehovait, disponohet në mbi 130 gjuhë. Mund të shkarkosh një kopje nga siti jw.org ose nga aplikacioni JW Library. Nëse do, Dëshmitarët e Jehovait mund të të sjellin në shtëpi një kopje të shtypur.