Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 27

Pse duhet ta nderosh thellësisht Jehovain?

Pse duhet ta nderosh thellësisht Jehovain?

«Ata që nderojnë thellësisht Jehovain, gëzojnë miqësi të ngushtë me të.»—PSAL. 25:14.

KËNGA 8 Jehova, ti je streha jonë

PËRMBLEDHJE a

1-2. Çfarë duhet të bëjmë që të kemi miqësi të ngushtë me Jehovain? (Psalmi 25:12, 14 dhe shënimi)

 SI MENDON, çfarë cilësish janë të domosdoshme për të ruajtur miqësinë e ngushtë me dikë? Mbase do të thoshe se miqtë e mirë duhet ta duan dhe ta mbështetin njëri-tjetrin. Por ka shumë mundësi që nuk do ta renditje frikën ndër cilësitë e rëndësishme për një miqësi të mirë. Megjithatë, siç tregon edhe Psalmi 25, ata që duan të kenë miqësi të ngushtë me Jehovain duhet ‘t’i frikësohen’ ose ‘ta nderojnë thellësisht’.—Lexo Psalmin 25:12, 14 dhe shënimin.

2 Sado kohë të kemi që i shërbejmë Jehovait, duhet të vazhdojmë ta nderojmë thellësisht Perëndinë tonë. Por ç’do të thotë ta nderosh thellësisht Perëndinë? Si mund ta zhvillojmë këtë cilësi? Dhe si na ndihmon për këtë shembulli i kujdestarit Abdia, i kryepriftit Jehojada dhe i mbretit Jehoas?

Ç’DO TË THOTË TA NDEROSH THELLËSISHT PERËNDINË?

3. Shpjegoni si mund të na mbrojë frika.

3 Kur e nderojmë thellësisht Perëndinë, kemi frikë se mos e lëndojmë. Ndoshta frika na duket një ndjenjë e papëlqyeshme, por mund të jetë e dobishme sepse na nxit të veprojmë me mençuri. Për shembull, frika se mos biem, nuk na lë t’i afrohemi tepër buzës së një gremine. Frika se mos pësojmë gjë mund të na nxitë të largohemi nga një situatë e rrezikshme. Frika se mos prishim miqësinë me dikë që e duam, na frenon të mos themi a të mos bëjmë diçka që mund ta lëndojë.

4. Ç’lloj frike do Satanai të provojmë kundrejt Jehovait?

4 Satanai do që njerëzit të kenë frikë të sëmurë nga Jehovai. Ai përhap idenë që shprehu Elifazi—se Jehovai është një Perëndi hakmarrës dhe inatçi, të cilin është e pamundur ta kënaqësh. (Jobi 4:18, 19) Satanai do që të kemi aq shumë frikë nga Jehovai, sa të dorëzohemi dhe të mos i shërbejmë më. Që ta shmangim këtë grackë, duhet të zhvillojmë një frikë të shëndetshme ose nderim të thellë për Perëndinë.

5. Ç’do të thotë ta nderojmë thellësisht Perëndinë?

5 Dikush që ka nderim të thellë për Perëndinë e do Atë dhe nuk dëshiron të bëjë asgjë që do t’ia dëmtonte miqësinë me Jehovain. Jezui ‘e nderonte thellësisht Perëndinë’. (Hebr. 5:7) Ai nuk kishte frikë të sëmurë nga Jehovai. (Isa. 11:2, 3) Përkundrazi, e donte me gjithë shpirt dhe dëshironte t’i bindej. (Gjoni 14:21, 31) Ashtu si Jezui, ne kemi respekt dhe nderim të thellë për Jehovain, sepse është i dashur, i mençur, i drejtë dhe i fuqishëm. Gjithashtu e dimë se Jehovai na do pa masë dhe i copëtohet ose i gëzon zemra nga mënyra si reagojmë kur na mëson.—Psal. 78:41; Prov. 27:11.

SI TA ZHVILLOSH NDERIMIN E THELLË PËR PERËNDINË

6. Cila është një mënyrë si mund ta zhvillojmë nderimin e thellë për Perëndinë? (Psalmi 34:11)

6 Ne nuk lindim me nderim të thellë për Jehovain; duhet ta zhvillojmë këtë cilësi. (Lexo Psalmin 34:11.) Një gjë që mund të na ndihmojë është të vëzhgojmë krijimin. Sa më shumë të vërejmë si shpalosen mençuria e Perëndisë, fuqia e tij dhe dashuria e thellë për ne te «gjërat që ka bërë», aq më shumë do të na thellohen respekti e dashuria për të. (Rom. 1:20) Një motër që quhet Adriana thotë: «Mençuria e Jehovait që shihet qartë te krijimi, më mahnit dhe më ndihmon të kuptoj se ai e di ç’është më e mira për mua.» Ndërsa meditonte, ajo arriti në këtë përfundim: «Pse do të doja të bëja diçka që do të hapte një hendek mes meje dhe Jehovait, Burimit të jetës sime?!» Po ti, a mund të gjesh ca kohë këtë javë që të mendosh për një aspekt të krijimit? Kjo do të ta shtojë akoma më shumë respektin dhe dashurinë për Jehovain.—Psal. 111:2, 3.

7. Si mund të na ndihmojnë lutjet që të ushqejmë nderimin e thellë për Jehovain?

7 Një mënyrë tjetër si mund ta ushqejmë nderimin e thellë për Perëndinë është të lutemi rregullisht. Sa më shumë lutemi, aq më real bëhet Jehovai për ne. Çdo herë që i kërkojmë forcë për t’i bërë ballë një sprove, kujtojmë çfarë fuqie të mahnitshme ka. Kur e falënderojmë për Birin e tij, kujtojmë sa fort na do. Dhe kur i përgjërohemi të na ndihmojë për ndonjë problem, kujtojmë sa e pakufishme është mençuria e tij. Lutje të tilla na thellojnë nderimin për Jehovain. Gjithashtu na forcojnë vendosmërinë për të mos bërë asgjë që do të na dëmtonte miqësinë me të.

8. Çfarë mund të bëjmë që të mos e humbim nderimin e thellë për Perëndinë?

8 Që të mos e humbim nderimin e thellë për Perëndinë, duhet ta studiojmë Biblën me synimin që të mësojmë nga shembujt e mirë dhe të këqij që përmban. Le të ndalemi te dy shërbëtorë besnikë të Jehovait—tek Abdia, kujdestari i pallatit të mbretit Akab, dhe te kryeprifti Jehojada. Pastaj do të shohim ç’mund të mësojmë nga Jehoasi, mbreti i Judës, i cili e nisi mbarë, por më vonë u largua nga Jehovai.

JI GUXIMTAR SI ABDIA

9. Si ndikoi tek Abdia nderimi i thellë për Jehovain? (1 Mbretërve 18:3, 12)

9 Bibla na e prezanton Abdinë b me këto fjalë: «Abdia e nderonte thellësisht Jehovain». (Lexo 1 Mbretërve 18:3, 12.) Si ndikoi tek Abdia ky nderim i thellë? E motivoi të ishte njeri i ndershëm dhe i besueshëm, e si rezultat mbreti e caktoi të administronte pallatin e tij. (Krahaso Neheminë 7:2.) Gjithashtu, nderimi i thellë për Perëndinë e pajisi Abdinë me një guxim të jashtëzakonshëm—një cilësi që i nevojitej shumë. Ai jetoi gjatë mbretërimit të Akabit të lig, që «në sytë e Jehovait . . . ishte më i keq se të gjithë pararendësit e tij». (1 Mbret. 16:30) Madje gruaja e Akabit, Jezebela, e cila adhuronte Baalin, e urrente aq shumë Jehovain, sa u orvat ta zhdukte adhurimin e pastër në mbretërinë veriore. Ajo vrau shumë profetë të Perëndisë. (1 Mbret. 18:4) Pa dyshim, Abdia e adhuroi Jehovain gjatë një periudhe të vështirë.

10. Si tregoi guxim të jashtëzakonshëm Abdia?

10 Si tregoi guxim të jashtëzakonshëm Abdia? Kur Jezebela u vu në ndjekje të profetëve të Perëndisë për t’i shfarosur, Abdia fshehu 100 prej tyre, ‘50 në një shpellë e 50 në një tjetër, dhe u siguronte bukë e ujë’. (1 Mbret. 18:13, 14) Po ta merrte vesh Jezebela, Abdia i guximshëm do të ekzekutohej pa diskutim. Natyrisht, ai ishte njeri dhe mund të ketë pasur frikë se mos vdiste. Megjithatë, Abdia e donte Jehovain dhe ata që i shërbenin Atij më shumë se jetën e vet.

Edhe pse vepra është e ndaluar, një vëlla tregon guxim duke u çuar ushqim besimforcues Dëshmitarëve të tjerë (Shih paragrafin 11) d

11. Pse mund të themi se shumë shërbëtorë të Jehovait sot ngjajnë me Abdinë? (Shihni edhe figurën.)

11 Sot shumë bashkëbesimtarë të shtrenjtë jetojnë në vende ku vepra jonë është e ndaluar. Ata u tregojnë autoriteteve respektin që u takon, por ashtu si Abdia, i japin Jehovait atë që e meriton vetëm Ai—përkushtimin e plotë. (Mat. 22:21) Ata shfaqin nderim të thellë për Perëndinë duke iu bindur atij dhe jo njerëzve. (Vep. 5:29) Këtë e bëjnë duke vazhduar të predikojnë lajmin e mirë dhe duke u mbledhur së bashku pa rënë në sy. (Mat. 10:16, 28) Ata sigurohen që vëllezërit e motrat të kenë çfarë u nevojitet për të qëndruar të lidhur fort me Jehovain. Të mendojmë për shembullin e Henrit, i cili jeton në një vend afrikan ku vepra jonë ishte e ndaluar për njëfarë kohe. Gjatë asaj periudhe, Henri u ofrua t’u çonte Dëshmitarëve të tjerë ushqim besimforcues. Ai shkroi: «Jam tip i ndrojtur. Prandaj jam i bindur se vetëm falë respektit të thellë për Jehovain mora guximin që më nevojitej.» A e përfytyron dot veten duke u treguar aq i guximshëm sa Henri? Mund të jesh po aq i guximshëm nëse zhvillon nderimin e thellë për Perëndinë.

JI BESNIK SI KRYEPRIFTI JEHOJADA

12. Si treguan besnikëri të plotë ndaj Jehovait kryeprifti Jehojada dhe gruaja e tij?

12 Kryeprifti Jehojada e nderonte thellësisht Jehovain, e kjo e motivonte të ishte besnik dhe të përkrahte adhurimin e vërtetë. Këtë e tregoi qartë kur Atalia, vajza e Jezebelës, uzurpoi fronin e Judës. Populli e kishte frikë Atalinë, e me të drejtë. Ajo ishte një grua katile dhe aq e etur për pushtet, sa u orvat të vriste gjithë pasardhësit e mbretit—nipërit e vet! (2 Kron. 22:10, 11) Njëri prej tyre, Jehoasi, mbijetoi ngaqë e shpëtoi Jehoshabeta, gruaja e Jehojadës. Ajo dhe i shoqi e mbajtën fshehur fëmijën dhe u kujdesën për të. Kështu, Jehojada dhe Jehoshabeta ndihmuan të ruhej linja mbretërore e Davidit. Jehojada i moshuar ishte besnik ndaj Jehovait dhe nuk lejoi ta paralizonte frika nga Atalia.—Prov. 29:25.

13. Si e tregoi Jehojada besnikërinë ndaj Jehovait kur Jehoasi ishte shtatë vjeç?

13 Kur Jehoasi ishte shtatë vjeç, Jehojada tregoi përsëri se ishte besnik ndaj Jehovait. Ai bëri një plan. Nëse plani dilte me sukses, Jehoasi, trashëgimtari i ligjshëm i Davidit, do të bëhej mbret. Por nëse plani dështonte, Jehojadën pa diskutim do ta ekzekutonin. Falë bekimit të Jehovait, plani doli me sukses. I përkrahur nga prijësit dhe levitët, Jehojada e bëri mbret Jehoasin dhe urdhëroi të ekzekutohej Atalia. (2 Kron. 23:1-5, 11, 12, 15; 24:1) Pastaj Jehojada «bëri një besëlidhje mes Jehovait, mbretit dhe popullit, se do të vazhdonin të ishin populli i Jehovait». (2 Mbret. 11:17) Veç kësaj, Jehojada «vendosi derëtarët te portat e shtëpisë së Jehovait, që të mos hynte asnjë i papastër».—2 Kron. 23:19.

14. Në cilat mënyra u nderua Jehojada ngaqë nderoi Jehovain?

14 Kohë më parë Jehovai kishte thënë: «Unë do të nderoj ata që më nderojnë.» E vërtet, ai e shpërbleu Jehojadën. (1 Sam. 2:30) Për shembull, Jehovai e dokumentoi në Bibël historinë e kryepriftit, që të mësojmë prej saj. (Rom. 15:4) Gjithashtu, pas vdekjes, Jehojada u nderua në mënyrë speciale pasi e varrosën «në Qytetin e Davidit bashkë me mbretërit, sepse kishte bërë mirë në Izrael ndaj Perëndisë së vërtetë dhe ndaj shtëpisë së Tij».—2 Kron. 24:15, 16.

Ashtu si kryeprifti Jehojada, duam që nderimi i thellë për Jehovain të na motivojë t’i mbështetim me besnikëri vëllezërit tanë (Shih paragrafin 15) e

15. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jehojadës? (Shihni edhe figurën.)

15 Historia e Jehojadës mund të na ndihmojë të gjithëve të zhvillojmë nderim të thellë për Perëndinë. Mbikëqyrësit e krishterë mund ta imitojnë Jehojadën duke qëndruar vigjilentë dhe duke e mbrojtur me besnikëri kopenë e Perëndisë. (Vep. 20:28) Të moshuarit mund të mësojnë nga shembulli i Jehojadës se, kur e nderojnë thellësisht Jehovain dhe i qëndrojnë besnikë, Ai mund t’i përdorë për të realizuar qëllimin e Tij. Jehovai nuk i lë mënjanë. Të rinjtë mund t’i kushtojnë vëmendje mënyrës si e trajtoi Jehovai Jehojadën dhe mund ta imitojnë duke i trajtuar të moshuarit me dinjitet dhe respekt, sidomos ata që kanë shërbyer me besnikëri për shumë vjet. (Prov. 16:31) E të gjithë ne mund të mësojmë nga prijësit dhe levitët që e mbështetën Jehojadën. Edhe ne duam t’i mbështetim me besnikëri ‘ata që marrin drejtimin’ duke iu bindur.—Hebr. 13:17.

MOS IMITO MBRETIN JEHOAS

16. Ç’gjë tregon se mbreti Jehoas ishte njeri i dobët?

16 Jehojada ndikoi për mirë te mbreti Jehoas. (2 Mbret. 12:2) Si rezultat, në moshë të re mbreti kishte dëshirë ta kënaqte Jehovain. Por pas vdekjes së Jehojadës, Jehoasi filloi t’ua vinte veshin princave apostatë. Rezultati? Ai dhe nënshtetasit e tij «filluan t’u shërbenin shtyllave të shenjta e idhujve». (2 Kron. 24:4, 17, 18) Ndonëse i lënduar thellë, Jehovai «u dërgonte vazhdimisht profetë që të ktheheshin tek Ai . . . , por ata nuk pranonin t’i dëgjonin». Nuk pranuan të dëgjonin as birin e Jehojadës, Zakarinë, c i cili ishte jo vetëm prift dhe profet i Jehovait, por edhe kushëriri i Jehoasit. Madje, pa pikë mirënjohjeje ndaj asaj familjeje që i detyrohej aq shumë, mbreti Jehoas e vrau Zakarinë.—2 Kron. 22:11; 24:19-22.

17. Si përfundoi Jehoasi?

17 Jehoasi e humbi nderimin e thellë për Jehovain, e si pasojë përfundoi keq. Jehovai kishte thënë: «Ata që më përbuzin, do t’i trajtoj me përçmim». (1 Sam. 2:30) Një ushtri e vogël siriane mundi ‘ushtrinë shumë të madhe’ të Jehoasit dhe e la mbretin «të plagosur rëndë». Pasi sirianët u larguan, Jehoasin e vranë shërbëtorët e vet ngaqë kishte vrarë Zakarinë. Ai mbret i lig as u konsiderua i denjë të varrosej «në varret e mbretërve».—2 Kron. 24:23-25.

18. Sipas Jeremisë 17:7, 8, çfarë mund të bëjmë që të mos jemi si Jehoasi?

18 Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jehoasit? Ai ishte si një pemë me rrënjë të cekëta, që mund të rrinte në këmbë vetëm me një dru mbështetës. Kur ajo mbështetje—Jehojada—nuk ishte më dhe nisën të frynin erërat e apostazisë, Jehoasi u rrëzua. Ky është një shembull i gjallë që nderimi i thellë për Perëndinë nuk duhet të varet vetëm nga ndikimi i mirë i bashkëbesimtarëve ose i pjesëtarëve të familjes. Për të qëndruar të lidhur ngushtë me Jehovain, duhet ta forcojmë përkushtimin dhe nderimin e thellë për të nëpërmjet studimit, meditimit e lutjeve.—Lexo Jereminë 17:7, 8; Kolos. 2:6, 7.

19. Çfarë kërkon Jehovai prej nesh?

19 Jehovai nuk pret tepër prej nesh. Ajo që kërkon, përmblidhet bukur tek Eklisiastiu 12:13, që thotë: «Ki nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë dhe zbatoji urdhërimet e tij, se ky është tërë detyrimi i njeriut.» Nderimi i thellë për Jehovain do të na motivojë t’i qëndrojmë besnikë si Abdia dhe Jehojada, çfarëdo sprovash të sjellë e ardhmja. E asgjë nuk do të na e dëmtojë dot miqësinë me Perëndinë tonë!

KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri

a Në gjuhën origjinale, fjala që shpesh përkthehet «nderim i thellë» ka kuptimin më të gjerë «frikë». Në varësi të kontekstit, ajo nënkupton ndjenja të ndryshme, si tmerri, respekti ose nderimi i thellë. Ky artikull do të shpjegojë ç’do të thotë t’i frikësohemi ose ta nderojmë thellësisht Perëndinë dhe si ta zhvillojmë këtë cilësi. Do të shohim edhe si na motivon nderimi i thellë për Atin tonë qiellor t’i shërbejmë me guxim dhe besnikëri.

b Ky Abdi nuk është profeti Abdia, i cili jetoi shekuj më vonë dhe shkroi librin e Biblës me emrin e tij.

c Mateu 23:35 thotë se Zakaria ishte biri i Barakiahut. Mendohet që Jehojada mund të ketë pasur dy emra, ashtu si personazhe të tjera të Biblës (krahaso Mat. 9:9 me Mar. 2:14), ose që Barakiahu ishte gjyshi i Zakarisë a ndonjë paraardhës më i hershëm.

d PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Në këtë inskenim, një vëlla u çon ushqim besimforcues bashkëbesimtarëve kur vepra është e ndaluar.

e PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një motër e re mëson nga një motër e moshuar si të japë dëshmi me telefon; një vëlla i moshuar lë një shembull duke predikuar me guxim në dëshminë publike; një vëlla me përvojë stërvit të tjerë për të mirëmbajtur Sallën e Mbretërisë.