Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nën qeverisjen e Perëndisë, i gjithë krijimi ishte në unitet e në paqe

Pse kemi nevojë për Mbretërinë e Perëndisë?

Pse kemi nevojë për Mbretërinë e Perëndisë?

Në fillim të historisë njerëzore, Krijuesi ynë, që e ka emrin Jehova, ishte Sovran absolut dhe e ushtronte autoritetin me shumë dashuri. Krijoi një shtëpi të bukur, kopshtin e Edenit, ku të jetonin njerëzit, si dhe u siguroi ushqim me bollëk e punë të kënaqshme. (Zanafilla 1:28, 29; 2:8, 15) Po të kishin pranuar qeverisjen e dashur të Perëndisë, njerëzit do të gëzonin paqe edhe sot e kësaj dite.

Njerëzit e parë e hodhën poshtë Perëndinë si Sovran

Bibla tregon se një engjëll rebel, që më vonë u quajt Satana Djalli, sfidoi të drejtën e Perëndisë për të qenë Sovran. Ai la të kuptohej se njerëzit do të ishin më të lumtur pa drejtimin dhe udhëheqjen e Perëndisë. Sa keq që prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, ndoqën shembullin e Satanait dhe u rebeluan kundër Perëndisë.—Zanafilla 3:1-6; Zbulesa 12:9.

Ngaqë e hodhën poshtë Perëndinë si Sovranin e tyre, Adami dhe Eva humbën shtëpinë parajsore dhe shpresën për të jetuar përgjithmonë me shëndet të përsosur. (Zanafilla 3:17-19) Vendimi i tyre ndikoi edhe te fëmijët që patën më vonë. Bibla thotë se, ngaqë Adami shkeli ligjin e Perëndisë, pra mëkatoi, «mëkati hyri në botë . . . dhe vdekja nëpërmjet mëkatit». (Romakëve 5:12) E si pasojë e mëkatit, erdhi edhe një problem tjetër i rëndë: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.» (Eklisiastiu 8:9) Me pak fjalë, kur njerëzit vetëqeverisen, problemet s’kanë të sosur.

NGRE KOKË SUNDIMI NJERËZOR

Nimrodi u rebelua kundër Jehovait

Sundimtari i parë njerëzor i përmendur në Shkrime, ishte Nimrodi, i cili u rebelua kundër sovranitetit të Jehovait. Që nga ditët e Nimrodit, njerëzit e fuqishëm kanë abuzuar me pushtetin. Rreth 3.000 vjet më parë, mbreti i mençur Solomon shkroi: «Pashë lotët e të shtypurve, të cilët s’kishte kush t’i ngushëllonte; pushtetin e kishin shtypësit.»—Eklisiastiu 4:1.

Të njëjtin problem e shohim sot e kësaj dite. Në vitin 2009, një botim i Kombeve të Bashkuara thoshte se keqqeverisja po konsiderohet çdo ditë e më shumë si «një nga shkaqet kryesore të gjithë ligësisë që shohim në shoqërinë tonë».

KOHA PËR TË VEPRUAR!

Bota ka nevojë për qeveritarë dhe qeverisje më të mirë. E pikërisht këtë na ka premtuar Krijuesi ynë!

Edhe qeveritë më të mira nuk kanë arritur t’i zgjidhin problemet e rënda të njerëzimit

Perëndia ka marrë masa që një Mbretëri ose qeveri të zëvendësojë gjithë sundimin njerëzor, dhe ajo «do të qëndrojë përgjithmonë». (Danieli 2:44) Kjo është Mbretëria për të cilën janë lutur miliona veta. (Mateu 6:9, 10) Por Perëndia nuk do të jetë vetë në krye të kësaj qeverie. Në krye të saj ka caktuar një Mbret që ka jetuar në tokë si njeri. Kë ka zgjedhur?