Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jetuan vërtet aq gjatë njerëzit në kohët biblike?

A jetuan vërtet aq gjatë njerëzit në kohët biblike?

A jetuan vërtet aq gjatë njerëzit në kohët biblike?

ZHAN-LUIZË KALMA vdiq më 4 gusht 1997 në qytetin e lindjes, në juglindje të Francës. Ishte 122 vjeçe.

Përparimet në shkencë, në mjekësi dhe në fusha të tjera po i ndihmojnë sot njerëzit të jetojnë më gjatë. Megjithatë, jo shumë veta i arrijnë ose i kalojnë të 100-at. Ja pse mosha e tyre e madhe ndonjëherë jepet në lajme, si në rastin e zonjës Kalma.

Bibla tregon se në kohët e lashta njerëzit jetonin shumë më gjatë, në disa raste thuajse deri në 1000 vjet. A është e vërtetë ose e besueshme kjo? A jetuan vërtet aq gjatë njerëzit në kohët biblike? A duhet të na interesojë sot kjo çështje?

Njerëz që jetuan gjatë

Libri biblik i Zanafillës flet për shtatë burra që jetuan më se 900 vjet, dhe të gjithë lindën para Përmbytjes së ditëve të Noesë. Këta ishin: Adami, Seti, Enosi, Kenani, Jaredi, Metuselahu dhe Noeja. (Zanafilla 5:5-27; 9:29) Mjaft prej tyre mund të mos njihen nga pjesa më e madhe e njerëzve, por që të gjithë ishin ndër dhjetë brezat e parë të historisë njerëzore. Metuselahu njihet ngaqë jetoi më gjatë: një rekord prej 969 vjetësh!

Bibla përmend të paktën edhe 25 të tjerë të cilët arritën të jetonin përtej jetëgjatësisë së zakonshme sot. Disa nga këta jetuan 300, 400 e madje 700 a më tepër vjet. (Zanafilla 5:28-31; 11:10-25) Megjithatë, për shumë veta, tregimet biblike për individë të tillë nuk janë gjë tjetër veçse mit. A është vërtet kështu?

Mit apo dokumentim i besueshëm?

Sipas një dokumenti të botuar nga Instituti Maks Plank për Kërkime Demografike në Gjermani, studiuesit verifikuan moshën e zonjës Kalma, të përmendur më sipër, duke mbledhur disa «pohime të thjeshta e që mund të verifikohen», të cilat i kishte thënë ajo vetë. Këto lidheshin me të ose me të afërmit e saj, në situata të caktuara. Më pas, fjalët e saj u vërtetuan me anë të dokumenteve zyrtare, noteriale, kishtare, si edhe nëpërmjet artikujve të gazetave dhe me anë të regjistrimeve të popullsisë. Është interesante se, ndonëse nuk mund të vërtetohej çdo hollësi, provat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta që ishin në dispozicion, arritën ta verifikonin jetëgjatësinë e saj.

Ç’të themi për tregimet e Biblës? A kanë dalë të besueshme? Pa diskutim që po. Megjithëse jo çdo hollësi është konfirmuar nga burime shekullare në dispozicion, dëshmitë kanë treguar vazhdimisht se ajo që thuhet në Bibël është e besueshme nga ana historike, shkencore dhe kronologjike. * Kjo nuk duhet të na habitë pasi vetë Bibla thotë: «Perëndia thotë të vërtetën, edhe sikur çdo njeri të jetë gënjeshtar.» (Romakëve 3:4, Contemporary English Version) Po, si libër «i frymëzuar nga Perëndia», Bibla nuk përmban të pavërteta.​—2 Timoteut 3:16.

Moisiu, të cilin Perëndia Jehova e drejtoi që të shkruante Pentateukun ose pesë librat e parë të Biblës, duhet renditur ndër njerëzit më me ndikim dhe më të respektuar në historinë e njerëzimit. Judenjtë e konsiderojnë më të madhin ndër të gjithë mësuesit e tyre. Myslimanët e mbajnë si një nga profetët e tyre më të mëdhenj. Kurse për të krishterët, Moisiu është një pararendës i Jezu Krishtit. A do të ishte e arsyeshme të nxirrnim përfundimin se shkrimet e një figure kaq të rëndësishme historike nuk janë të besueshme?

A llogaritej ndryshe koha?

Disa kanë supozuar se koha matej ndryshe në ato ditë dhe se ai që quanin një vit faktikisht ishte një muaj. Por një analizë e tregimit të Zanafillës s’lë vend për dyshim se njerëzit asokohe kishin të njëjtin koncept si ne për kohën. Të shqyrtojmë dy shembuj. Në tregimin për Përmbytjen lexojmë se ajo filloi kur Noeja ishte 600 vjeç «muajin e dytë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit». Më pas thotë se ujërat e përmbytën tokën për 150 ditë dhe se «muajin e shtatë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, arka u ndal në një nga malet e Araratit». (Zanafilla 7:11, 24; 8:4) Pra, tregimi thotë se një periudhë prej pesë muajsh, nga dita e 17-të e muajit të dytë deri në ditën e 17-të të muajit të shtatë të vitit, kishte 150 ditë. Qartë, pohimi se një vit ishte sa një muaj, është krejtësisht pa baza.

Le të shohim një shembull tjetër. Sipas Zanafillës 5:15-18, Mahalalelit i lindi një bir kur ishte 65 vjeç, jetoi edhe 830 vjet dhe vdiq në moshën 895-vjeçare. Edhe nipit të tij, Enokut, i lindi një bir kur ishte 65 vjeç. (Zanafilla 5:21) Nëse një vit do të ishte vërtet një muaj, atëherë këta dy burra do të ishin bërë prindër kur ishin vetëm pesë vjeç. A ka kuptim kjo?

Edhe arkeologjia vjen në ndihmë, pasi mbështet pohimet e Biblës për individët që jetuan gjatë. Bibla thotë për patriarkun Abraham se ishte nga qyteti i Urit, më vonë banoi në qytetin e Haranit dhe pastaj në rajonin e Kanaanit dhe luftoi e mundi Kedorlaomerin, mbretin e Elamit. (Zanafilla 11:31; 12:5; 14:13-17) Zbulimet kanë vërtetuar ekzistencën e këtyre vendeve dhe njerëzve. Gjithashtu, arkeologjia na ka ndihmuar të kuptojmë më mirë gjeografinë e vendeve dhe zakonet e popujve të përmendur bashkë me Abrahamin. Meqë këto pohime biblike për Abrahamin janë të sakta, pse të vihet në diskutim mosha e tij 175-vjeçare?​—Zanafilla 25:7.

Prandaj, nuk ka pse të dyshojmë për pohimet e Biblës në lidhje me jetëgjatësinë e jashtëzakonshme të disa njerëzve në kohët e lashta. Por, mbase pyet veten: «Pse duhet të më interesojë jetëgjatësia e tyre?»

Mund të jetosh më gjatë nga sa mendon

Jetëgjatësia e jashtëzakonshme e atyre që jetuan para Përmbytjes, vërteton se trupi i njeriut ka një potencial tepër të madh për të jetuar gjatë. Me anë të teknologjisë së sotme, shkencëtarët kanë arritur ta shohin më nga afër trupin e njeriut dhe projektimin e tij të mrekullueshëm, përfshirë aftësinë mbresëlënëse për t’u ripërtërirë dhe shëruar. Në ç’përfundim kanë arritur? Trupi ynë mund të jetojë pafundësisht. Profesori i mjekësisë Tom Kirkudi thotë: «[Plakja] mbetet një nga misteret më të mëdha për shkencën e mjekësisë.»

Përkundrazi, për Perëndinë Jehova, plakja nuk është as mister, as problem pa zgjidhje. Njeriun e parë, Adamin, ai e krijoi të përsosur, dhe kishte si qëllim që njerëzit të jetonin përgjithmonë. Mjerisht, Adami vendosi t’i kthente shpinën Perëndisë. Si pasojë, ra në mëkat dhe u bë i papërsosur. Ja shpjegimi që kërkojnë shkencëtarët: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Ne sëmuremi, plakemi dhe vdesim pikërisht për shkak të mëkatit dhe të papërsosmërisë.

Sidoqoftë, qëllimi i Krijuesit tonë të dashur nuk ka ndryshuar aspak. Si provë të jashtëzakonshme të kësaj, ai siguroi flijimin shpërblyes të të Birit, Jezu Krishtit, i cili hapi derën drejt përsosmërisë dhe jetës së përhershme. Bibla thotë: «Ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen.» (1 Korintasve 15:22) Njerëzit para Përmbytjes ishin më afër përsosmërisë, prandaj jetonin më gjatë, shumë më gjatë se ne sot. Por ne jemi më afër kohës kur do të përmbushet premtimi i Perëndisë. Së shpejti, të gjitha gjurmët e mëkatit dhe të papërsosmërisë do të zhduken dhe njerëzit nuk do të plaken e as do të vdesin.​—Isaia 33:24; Titit 1:2.

Si mund t’i arrish këto bekime? Mos mendo se premtimi i Perëndisë është vetëm një ëndërr. Jezui tha: «Kush dëgjon fjalën time dhe i beson atij që më dërgoi, ka jetë të përhershme.» (Gjoni 5:24) Prandaj merr njohuri për Biblën dhe zbatoje atë që mëson. Nëse vepron kështu, do të imitosh shembullin e atyre për të cilët apostulli Pavël tha se «vënë si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rrokin jetën e vërtetë». (1 Timoteut 6:19) Ji i sigurt se ai Perëndi, falë të cilit individët e përmendur në Bibël jetuan aq gjatë, mund të bëjë që edhe ti të jetosh përgjithmonë.

[Shënimi]

^ par. 10 Për më tepër hollësi, shih librin Bibla​—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Grafiku në faqen 12]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

1000*

969* METUSELAHU

950* NOEJA

930* ADAMI

900*

800*

700*

600*

500*

400*

300*

200*

100* NJERIU SOT

*MOSHA