Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ai e njeh «zemrën e bijve të njerëzve»

Ai e njeh «zemrën e bijve të njerëzve»

Afrojuni Perëndisë

Ai e njeh «zemrën e bijve të njerëzve»

2 KRONIKAVE 6:29, 30

KUSH nga ne nuk është ndier ndonjëherë i mbytur nga vështirësitë dhe problemet e jetës? Ka raste kur duket sikur askush nuk arrin dot ta kuptojë luftën që na duhet të bëjmë ose dhembjen e thellë që ndiejmë. Megjithatë, është dikush që i kupton plotësisht ndjenjat tona, Perëndia Jehova. Mund të na ngushëllojnë fjalët e Solomonit te 2 Kronikave 6:29, 30.

Është viti 1026 p.e.s dhe Solomoni po bën një lutje me rastin e përurimit të tempullit në Jerusalem. Në këtë lutje, që ndoshta zgjati dhjetë minuta, ai lartëson Jehovain si Perëndi të Besnikërisë, Përmbushës të premtimeve dhe Dëgjues të lutjes.​—1 Mbretërve 8:23-53; 2 Kronikave 6:14-42.

Solomoni i kërkon me zjarr Perëndisë të dëgjojë përgjërimin e adhuruesve të tij. (Vargu 29) Megjithëse Solomoni përmend shumë mundime (vargu 28), ai vë në dukje se çdo adhurues e njeh «plagën e vet» dhe e ndien «dhembjen e vet». Ajo që mund ta pikëllojë dikë mund të jetë krejt ndryshe nga barra e brendshme që i duhet të durojë dikush tjetër.

Sidoqoftë, ata që i frikësohen Perëndisë nuk kanë pse t’i mbajnë të vetëm barrët. Gjatë lutjes, Solomoni ka në mendje çdo adhurues që mund të nxitet «të shtrijë duart» teksa i afrohet Jehovait me përzemërsi. * Ndoshta Solomoni kujton të atin, Davidin, i cili, kur ishte tej mase i dëshpëruar, tha: «Hidhja barrën tënde Jehovait.»​—Psalmi 55:4, 22.

Si do t’u përgjigjet Jehovai kërkesave të sinqerta për ndihmë? Solomoni i përgjërohet atij: «Dëgjo nga qiejt, nga vendbanimi yt, fal dhe jepi secilit sipas gjithë udhëve të tij.» (Vargu 30) Solomoni e di se ‘Dëgjuesi i lutjes’ interesohet për adhuruesit e tij jo vetëm si grup, por edhe si individë. (Psalmi 65:2) Jehovai siguron ndihmën e nevojshme, përfshirë faljen për mëkatarin që kthehet tek ai me gjithë zemër.​—2 Kronikave 6:36-39.

Pse Solomoni është i sigurt se Jehovai do t’u përgjigjet përgjërimeve të një adhuruesi të penduar? Solomoni thotë më tej në lutje: «Sepse ti [Jehova] e njeh zemrën e tij (sepse vetëm ti e njeh mirë zemrën e bijve të njerëzve).» Jehovai njeh mirë çdo plagë a dhembje që ka në zemër secili nga adhuruesit e tij besnikë dhe merakoset për vuajtjet e tyre.​—Psalmi 37:4.

Lutja e Solomonit na ngushëllon. Njerëzit mund të mos i kuptojnë plotësisht ndjenjat tona të thella, ‘plagën dhe dhembjen tonë’. (Proverbat 14:10) Por Jehovai na e njeh zemrën dhe interesohet thellësisht për ne. Kur ia zbrazim në lutje ndjenjat më të thella, barrët do të na bëhen më të lehta. Bibla thotë: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.»​—1 Pjetrit 5:7.

[Shënimi]

^ par. 4 Në kohët biblike ‘shtrirja e duarve’ duke i zgjatur pëllëmbët drejt qiellit, ishte gjest që tregonte se dikush lutej.​—2 Kronikave 6:​13.