Kalo te përmbajtja

Si të bëhem Dëshmitar i Jehovait?

Si të bëhem Dëshmitar i Jehovait?

 Hapat e nevojshëm për t’u bërë Dëshmitar i Jehovait i përshkroi Jezui e mund t’i gjesh te Mateu 28:19, 20. Ky fragment thekson ç’duhet të bëjë dikush që të jetë dishepull i Krishtit, që përfshin të flasësh, ose të dëshmosh, për Jehovain.

 Hapi 1: Mëso çfarë thotë Bibla. Jezui i udhëzoi nxënësit e tij ‘të bënin dishepuj duke i mësuar’. (Mateu 28:19, 20) Fjala e përkthyer «dishepull» ka kuptimin «nxënës». Bibla, sidomos mësimet e Jezu Krishtit në të, përmban informacionin që të duhet për një jetë të lumtur e të kënaqshme. (2 Timoteut 3:​16, 17) Me kënaqësi do të të ndihmojmë të mësosh çfarë thotë Bibla nëpërmjet programit tonë falas për studimin e Biblës.​—Mateu 10:​7, 8; 1 Selanikasve 2:​13.

 Hapi 2: Zbatoje atë që mëson. Jezui tha se ata që mësojnë, duhet edhe ‘t’i zbatojnë të gjitha gjërat që ka urdhëruar’. (Mateu 28:20) Kjo do të thotë se nuk duhet ta studiosh Biblën thjesht për të mbushur mendjen me informacion. Mund të të duhet të bësh ndryshime domethënëse në mënyrën si mendon e si sillesh. (Veprat 10:42; Efesianëve 4:​22-​29; Hebrenjve 10:24, 25) Ata që i zbatojnë urdhërimet e Jezuit, nxiten të marrin një vendim personal për t’u bërë dishepull i tij, duke i kushtuar jetën Perëndisë Jehova.​—Mateu 16:24.

 Hapi 3: Pagëzohu. (Mateu 28:19) Në Bibël, pagëzimi krahasohet me varrosjen. (Krahaso Romakëve 6:​2-4.) Ai simbolizon vdekjen për sa i përket mënyrës së mëparshme të jetesës dhe fillimin e një jete të re. Pra, pagëzimi është një shpallje publike se i ke plotësuar dy hapat e parë që përshkroi Jezui dhe se po i kërkon Zotit një ndërgjegje të pastër.​—Hebrenjve 9:​14; 1 Pjetrit 3:​21.

Si ta kuptoj nëse jam gati për t’u pagëzuar?

 Fol me pleqtë e kongregacionit. Ata do të flasin me ty që të sigurohen se e kupton ç’do të thotë të pagëzohesh, se po i zbaton ato që mëson dhe se i je kushtuar Zotit me dëshirë.​—Veprat 20:28; 1 Pjetrit 5:​1-3.

A vlejnë këta hapa për fëmijët që i kanë prindërit Dëshmitarë?

 Po. Ne i rritim fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait», siç urdhërohet në Bibël. (Efesianëve 6:4) Megjithatë, kur rriten, ata duhet të marrin vetë një vendim që të mësojnë, të pranojnë e të zbatojnë çfarë mëson Bibla para se të kualifikohen për pagëzim. (Romakëve 12:2) Tekefundit, çdokush duhet të zgjedhë vetë kur vjen puna tek adhurimi i Zotit.​—Romakëve 14:12; Galatasve 6:5.