Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Lëkura inteligjente e kastravecit të detit

Lëkura inteligjente e kastravecit të detit

 Kastraveci i detit është një gjallesë që jeton në fund të detit ose nëpër shkëmbinj koralorë. Lëkura e tij mund të jetë gunga-gunga ose gjemba-gjemba. Ai është jashtëzakonisht elastik, dhe bëhet i butë si dylli ose i ngurtë si guri për punë minutash, madje sekondash. Kjo aftësi i mundëson kastravecit të detit të zvarritet nëpër të çarat e shkëmbinjve dhe pastaj të ngurtësohet, që grabitqarët të mos ta nxjerrin dot. Sekreti i tij? Lëkura e jashtëzakonshme.

 Shqyrto faktet: Lëkura e kastravecit të detit mund të kalojë në 3 gjendje të ndryshme—e ngurtë, mesatare ose e butë. Që të ndryshojë gjendjen, ai lidh ose shkëput fibrat e lëkurës duke vënë në punë proteinat zbutëse ose ngurtësuese.

 Proteinat ngurtësuese formojnë ura ose zinxhirë të vegjël mes fibrave duke e bërë lëkurën më të fortë. Ndërsa proteinat zbutëse shkëputin fibrat duke e bërë më të butë lëkurën. Ajo mund të zbutet aq shumë sa duket sikur shkrin.

 Shkencëtarët po krijojnë materiale që imitojnë aftësinë për t’u përshtatur të lëkurës së kastravecit të detit. Një nga synimet e tyre është të prodhojnë elektroda që do të përdoren për kirurgjinë në tru, që janë mjaftueshëm të ngurta për t’u vendosur fiks në vendin e duhur dhe që pastaj zbuten. Në qoftë se arrihet diçka e tillë, kjo do të rritë shanset që ndërhyrjet kirurgjikale të dalin me sukses.

 Si mendon? A erdhi me evolucion lëkura e kastravecit të detit? Apo është projektuar?