Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Lëkura vetëpastruese e balenës pilot

Lëkura vetëpastruese e balenës pilot

 Molusqet dhe organizmat e tjerë detarë që rriten në trupat e anijeve përbëjnë një problem të madh për kompanitë e lundrimit. Shtresa e krijuar nga këto organizma, e njohur edhe si biofouling, ua ul shpejtësinë anijeve, bën që të djegin më shumë karburant dhe që çdo pak vjet të hiqen nga përdorimi për t’u pastruar. Shkencëtarët po i drejtohen natyrës për zgjidhje.

 Shqyrto faktet: Studimet kanë treguar se lëkura e balenës pilot me pendë të gjatë (Globicephala melas) ka veti vetëpastruese. Ajo mbulohet nga kreshta super të vogla, përmasa e të cilave ua bën të vështirë larvave të molusqeve të kapen mirë pas tyre. Hapësirat mes kreshtave janë të mbushura me një xhel antibakterial dhe kundër algave. Kur balena ndërron lëkurën, nxjerr një shtresë të re xheli në lëkurë.

 Shkencëtarët duan ta përshtatin sistemin vetëpastrues të balenës te trupat e anijeve. Në të kaluarën, ato lyheshin me një bojë që nuk lejonte krijimin e shtresës biofouling. Por, kohët e fundit, bojërat që përdoreshin më shpesh janë ndaluar si të dëmshme për jetën detare. Zgjidhja që japin studiuesit është rrethimi i trupave të anijeve me rrjetë metalike, e cila vendoset mbi një sërë vrimash që lëshojnë një kimikat të padëmshëm për mjedisin. Kimikati kthehet në xhel veshtullor kur bie në kontakt me ujin e detit dhe vesh gjithë trupin e anijes. Me kalimin e kohës, kur kjo veshje e trashë rreth 0,7 mm konsumohet, merr me vete të gjitha organizmat që mund t’i jenë ngjitur për një udhëtim falas. Pastaj sistemi lëshon një veshje të re xheli që mbulon trupin e anijes.

Molusqet ua ngadalësojnë shpejtësinë anijeve dhe janë të vështira për t’u hequr

 Provat laboratorike kanë treguar se ky sistem mund të ulë 100 herë formimin e shtresës me molusqe e organizma të tjerë detarë. Kjo do t’u sillte përfitime të mëdha kompanive të lundrimit, sepse është e kushtueshme t’i çosh për t’u pastruar në dok të thatë anijet.

 Si mendon? A erdhi me evolucion lëkura vetëpastruese e balenës pilot? Apo është projektuar?