Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Nuk e mbaj mendjen te sëmundja»

«Nuk e mbaj mendjen te sëmundja»

«Më duhej ndihmë të shtrihesha e të ngrihesha nga krevati. Ecja ishte torturë. As ilaçet s’i gëlltitja dot pasi më bllokohej fyti. M’u krijuan plagë të pashërueshme në lëkurë, disa prej të cilave më vonë u gangrenizuan. Kisha ulcerë në stomak dhe djegie urthi të forta. Nuk kuptoja ç’po më ndodhte. Isha vetëm dhjetë vjeçe.»​—Eliza.

Pavarësisht nga kufizimet, Eliza kënaqet kur i mëson të tjerët për Biblën

SKLERODERMA​—që do të thotë «lëkurë e ashpër»—​është fjala që përshkruan sëmundje që prekin 2,5 milionë veta kudo në botë. Lloji që haset më së shumti te fëmijët është skleroderma e lokalizuar, e cila kryesisht përfshin ashpërsimin e indeve të lëkurës.

Megjithatë kur Eliza ishte dhjetë vjeçe, u diagnostikua me një formë të sklerodermës sistemike​—një sëmundje që prek jo vetëm lëkurën, por edhe organet e brendshme, si veshkat, zemrën, mushkëritë dhe aparatin tretës. Mjekët menduan se trajtimi do t’i zgjaste jetën vetëm pesë vjet. Sot, rreth 14 vjet më vonë, Eliza është si kokrra e mollës. Edhe pse nuk është shëruar, mban një pikëpamje pozitive për jetën. Zgjohuni! foli me Elizën për sëmundjen dhe se ku e gjen forcën për ta përballuar.

Kur e kuptove për herë të parë se nuk ishe mirë me shëndet?

Kur isha nëntë vjeçe, u preva në bërryl dhe më theri jashtë mase. Plaga u zmadhua dhe as që bëhej fjalë të shërohej. Një analizë gjaku zbuloi se kisha sklerodermë sistemike. Ngaqë shëndeti po përkeqësohej dita-ditës, na duhej një mjek me përvojë në trajtimin e sklerodermës.

A e gjetët mjekun?

Gjetëm një reumatologe. Ajo u tha prindërve të mi se kimioterapia mund të ma ngadalësonte sklerodermën e të ma zgjaste jetën edhe pesë vite të tjera, e ndoshta sëmundja do të kalonte në gjendje pasive. Efekti anësor i kimioterapisë ishte se do të ndikonte te sistemi imunitar. Edhe një ftohje mund të ishte fatale.

Siç duket, më e keqja nuk ndodhi.

Shyqyr që jo, jam gjallë! Por, kur isha rreth 12 vjeçe, fillova të ndieja dhembje të forta në kraharor që me raste më zinin dy herë në ditë dhe zgjatnin rreth 30 minuta. Ishin kaq therëse, sa ulërija.

Cili ishte shkaku i dhembjeve?

Mjekët panë se niveli i hemoglobinës më kishte rënë kaq shumë, sa zemra po rrihte më fort që të çonte gjak në tru. Brenda pak javësh, mora ilaçe që më lehtësuan. Ama, në atë pikë mendoja se kushedi ç’do të më gjente nga momenti në moment. Ndihesha më e pashpresë se kurrë, sikur nuk e kontrolloja dot atë që po më ndodhte.

Kanë kaluar 14 vjet që kur je diagnostikuar. Po tani, si je?

Ende jetoj me dhembje dhe kam disa sëmundje që lidhen me sklerodermën. Ndër to janë ulcera, fibroza në mushkëri dhe djegie urthi të forta. Megjithatë, nuk e mbaj mendjen te sëmundja e as bie në trishtim duke e çuar dëm kohën. Kam gjëra të tjera për të bërë.

Çfarë, për shembull?

Më pëlqen shumë të vizatoj, të qep rroba dhe të bëj bizhu. Ç’është më e rëndësishmja, si Dëshmitare e Jehovait marr pjesë në veprën ku mësojmë të tjerët për Biblën. Edhe nëse nuk eci dot për te shtëpitë e njerëzve, arrij të ndihmoj Dëshmitarët e tjerë që drejtojnë studime biblike me banorë të zonës sonë. Madje kam pasur studentë edhe vetë. Shërbimi i jep qëllim jetës sime.

Pse merr pjesë në këtë vepër kur ke mjaft probleme për vete?

E di se informacioni që u jap të tjerëve është jetësor dhe i dobishëm. Përveç kësaj, jam më e lumtur kur e kaloj kohën duke ndihmuar të tjerët në këtë mënyrë. Madje ndihem më mirë edhe me shëndetin. Gjatë momenteve të tilla harroj që jam sëmurë.

Ç’rol luan Bibla në pikëpamjen tënde pozitive?

Më kujton se vuajtjet e mia​—si edhe të të tjerëve—​janë thjesht të përkohshme. Zbulesa 21:4 thotë se në kohën e tij të caktuar, Zoti «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më». Kur mendoj për shkrime të tilla, më forcohet besimi te premtimi i Zotit për një të ardhme të bukur, jo vetëm për ata që vuajnë nga sëmundje kronike, por për të gjithë.