Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PIKËPAMJA E BIBLËS

Vuajtjet

Vuajtjet

Disa mendojnë se vuajtjet njerëzore i shkakton Zoti ose se të paktën është indiferent ndaj tyre. Por a e mëson Bibla këtë? Mbase do të habitesh me përgjigjen.

A na i shkakton Zoti vuajtjet?

«Kështu është, Perëndia nuk vepron me ligësi.»​Jobi 34:12.

ÇFARË THONË NJERËZIT:

Disa thonë se çdo gjë që ndodh është vullneti i Perëndisë. Kështu besojnë se edhe vuajtjet na i shkakton Ai. Për shembull, kur godasin katastrofat natyrore, mendojnë se me anë të këtyre ngjarjeve Zoti ndëshkon ata që kanë mëkatuar.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Ajo thotë troç se vuajtjet nuk i shkakton Zoti. Për shembull, Bibla pohon se, kur kemi sprova, do të ishte gabim të thoshim: «Po më sprovon Perëndia.» Pse? Sepse «Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri». (Jakovi 1:13) Me fjalë të tjera, Zoti nuk na i shkakton kurrë sprovat ose vuajtjet që vijnë si pasojë. Që të bënte diçka të tillë, i bie të jetë i lig, por «Perëndia nuk vepron me ligësi».​—Jobi 34:12.

Nëse vuajtjet nuk na i shkakton Zoti, atëherë kush ose çfarë na i shkakton? Mjerisht, shpesh njerëzit janë viktima të njerëzve të tjerë të papërsosur. (Eklisiastiu 8:9) Përveç kësaj, mund të na bien fatkeqësi për shkak ‘të ngjarjeve të paparashikuara’, pra thjesht ngaqë jemi në vendin e gabuar në kohën e gabuar. (Eklisiastiu 9:11) Bibla mëson se përgjegjës për vuajtjet e njeriut është «sundimtari i kësaj bote», Satana Djalli, pasi «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (Gjoni 12:31; 1 Gjonit 5:19) Ai që i shkakton vuajtjet e njerëzve është Satanai, jo Perëndia.

A do t’ia dijë Perëndia për vuajtjet tona?

«Ai vuajti për të gjitha vuajtjet e tyre.»​Isaia 63:9.

ÇFARË THONË NJERËZIT:

Disa mendojnë se Perëndia nuk do t’ia dijë fare për vështirësitë që kalojmë. Për shembull, një shkrimtar citoi atë që e quajti «mungesë të dukshme të mëshirës së Perëndisë ndaj vuajtjeve tona». Sipas këtij shkrimtari, nëse Zoti ekziston, atëherë i sheh njerëzit «me indiferencë të pamëshirshme».

ÇFARË THOTË BIBLA:

As që bëhet fjalë që Bibla ta përshkruajë Perëndinë si të pamëshirshëm apo indiferent. Përkundrazi, ajo mëson se Ai preket thellë nga vuajtjet tona dhe se së shpejti do t’u japë fund. Le të shohim tri të vërteta nga Bibla që na japin zemër.

Zoti e sheh sa vuajmë. Që kur zunë fill vuajtjet njerëzore, as edhe një pikë loti nuk ka kaluar pa u vënë re nga Jehovai, * ‘sytë rrezatues’ të të cilit shohin gjithçka. (Psalmi 11:4; 56:8) Për shembull, kur të tjerët i shtypnin adhuruesit e tij në lashtësi, Perëndia tha: «Pa dyshim e kam parë mundimin e popullit tim.» Por, a kishte thjesht një ide të mjegullt për dhembjen e tyre? Jo, sepse shtoi: «I njoh mirë vuajtjet e tyre.» (Dalja 3:7, Bibla ECM) Mjaft njerëz janë lehtësuar kur kanë mësuar qoftë edhe vetëm këtë të vërtetë, pra se Zoti i njeh të gjitha vuajtjet tona, madje edhe sprovat që të tjerët mbase nuk i dinë ose nuk i kuptojnë plotësisht.​—Psalmi 31:7; Proverbat 14:10.

Zotit i vjen keq për ne kur vuajmë. Perëndia Jehova nuk është thjesht i vetëdijshëm për vuajtjet e njerëzve, por edhe preket thellë nga to. Për shembull, Zoti u trazua vërtet kur adhuruesit e tij të lashtë u përballën me vështirësi. Bibla thotë: «Ai vuajti për të gjitha vuajtjet e tyre.» (Isaia 63:9) Ndonëse Zoti është jashtëzakonisht më i lartë se njerëzit, ai ndien empati për ata që vuajnë, sikur dhembjen e tyre ta ndiente në zemrën e tij. Vërtet, «Zoti është plot mëshirë e dhembshuri». (Jakovi 5:11, Diodati i Ri) Përveç kësaj, Jehovai na ndihmon t’i durojmë vuajtjet.​—Filipianëve 4:12, 13.

Zoti do t’u japë fund të gjitha vuajtjeve njerëzore. Sipas Biblës, Zoti do t’i heqë njëherë e mirë vuajtjet e çdo njeriu në planet. Me anë të Mbretërisë së tij qiellore, Jehovai do ta ndryshojë kryekëput gjendjen e njeriut​—për më mirë. Për atë kohë Bibla premton se Zoti «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan». (Zbulesa 21:4) Ç’të themi për ata që tashmë kanë vdekur? Perëndia do t’i rikthejë në jetë këtu në tokë që edhe ata të jetojnë pa vuajtje. (Gjoni 5:28, 29) A do të trazohet ndonjë nga kujtimet e dhimbshme të vuajtjeve të së shkuarës? Jo, sepse Jehovai premton: «Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër.»​—Isaia 65:17. *

^ par. 13 Jehova është emri i Zotit siç tregohet në Bibël.

^ par. 15 Për të ditur pse Zoti i ka lejuar vuajtjet për njëfarë kohe dhe si do t’i zhdukë, të lutemi shih kapitujt 8 e 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.