Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmi e heshtur për një profeci të saktë

Dëshmi e heshtur për një profeci të saktë

NË QENDËR TË ROMËS, ITALI, NGRIHET NJË HARK TRIUMFI QË TËRHEQ VIZITORË NGA E GJITHË BOTA. HARKU NDERON NJË NGA PERANDORËT MË TË PREFERUAR TË ROMËS​—TITIN.

Harku i Titit ka dy relieve të mëdha që tregojnë për një ngjarje goxha të njohur historike. Megjithatë, pak veta e dinë se mes harkut dhe Biblës ka një lidhje të mahnitshme: Harku i Titit është dëshmi e heshtur e saktësisë së jashtëzakonshme të profecive të Biblës.

NJË QYTET I DËNUAR

Në fillim të shekullit të parë të e.s. Perandoria Romake shtrihej nga Britania e Galia (tani Francë) deri në Egjipt dhe rajoni gëzonte stabilitet e begati si kurrë më parë. Mirëpo ekzistonte një zonë e largët që ishte burim i vazhdueshëm acarimi për Romën: provinca e trazuar e Judesë.

Encyclopedia of Ancient Rome thuhet: «Ishin të pakta territoret nën sundimin e Romës, si Judea, që karakterizoheshin nga një antipati kaq e madhe nga të dyja palët. Judenjtë i kishin zët padronët e huaj, të cilëve nuk u bëhej vonë fare për traditat e tyre, ndërsa romakët e konsideronin kokëfortësinë e judenjve si shkak për t’i shtypur rëndë.» Shumë judenj shpresonin se një lider do t’i çlironte nga romakët e urryer dhe se do të rivendoste një epokë të artë në Izrael. Por, në vitin 33 të e.s. Jezu Krishti pohoi se Jerusalemit po i afrohej një katastrofë.

Jezui tha: «Për ty do të vijnë ditët kur armiqtë do të ngrenë përreth teje një fortifikatë me hunj të mprehtë, do të të rrethojnë dhe do të të shkaktojnë vuajtje nga çdo anë, do të të shembin përtokë bashkë me fëmijët që ke brenda dhe nuk do të lënë te ti gur mbi gur.»​—Luka 19:43, 44.

Ka të ngjarë që fjalët e Jezuit t’i kenë habitur dishepujt e tij. Dy ditë më vonë, ndërsa po vëzhgonin tempullin e Jerusalemit, njëri prej tyre thërriti: «Mësues, shiko! Ç’gurë e ç’ndërtesa!» Në të vërtetë, thuhet se disa gurë të tempullit ishin mbi 11 metra të gjatë, 5 metra të gjerë dhe 3 metra të lartë. Megjithatë, Jezui tha: «Sa për këto gjëra që po shihni, do të vijnë ditët, kur këtu nuk do të mbetet gur pa u rrëzuar.»​—Marku 13:1; Luka 21:6.

Jezui shtoi: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afruar. Atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin në male, ata që janë brenda qytetit, të largohen, dhe ata që janë në fshatra, të mos hyjnë në qytet.» (Luka 21:20, 21) A dolën të vërteta fjalët e Jezuit?

FUNDI I NJË QYTETI

Kishin kaluar 33 vjet dhe Judea akoma e urrente zgjedhën romake. Por, në vitin 66 të e.s., kur guvernatori romak i Judesë, Gesi Flori, shtiu në dorë fonde nga thesari i shenjtë i tempullit, judenjtë e tërbuar nuk duruan dot më. Shpejt, luftëtarët judenj u sulën drejt Jerusalemit, masakruan garnizonin romak vendës dhe shpallën pavarësinë nga Roma.

Rreth tre muaj më vonë, mbi 30.000 ushtarë romakë, të udhëhequr nga Cest Gali, marshuan drejt Jerusalemit për të shtypur kryengritjen. Romakët depërtuan shpejt në qytet dhe shembën murin e jashtëm të zonës së tempullit. Pastaj, pa ndonjë arsye të dukshme, u tërhoqën. Rebelët judenj u gëzuan dhe iu vunë pas me shpejtësi. Meqë ushtarët romakë dhe rebelët judenj ishin larguar nga qyteti, të krishterët i vunë veshin paralajmërimit të Jezuit dhe ikën nga Jerusalemi e shkuan në male, përtej lumit Jordan.​—Mateu 24:15, 16.

Vitin pasues Roma filloi një fushatë të re kundër Judesë, të drejtuar nga gjeneral Vespasiani dhe i biri, Titi. Megjithatë, pak kohë pas vdekjes së perandorit Neron në vitin 68 të e.s., Vespasiani u rikthye në Romë për të marrë fronin. Fushatën kundër Judesë ia la të birit, Titit, bashkë me ushtrinë me rreth 60.000 veta.

Në qershor të vitit 70 të e.s. Titi urdhëroi ushtarët e tij që të prisnin të gjitha pemët nga rrethinat judeje, për të ndërtuar përreth Jerusalemit një mur 7 kilometra të gjatë me hunj të mprehtë. Deri në shtator romakët kishin plaçkitur dhe djegur qytetin bashkë me tempullin e tij e nuk kishin lënë gur mbi gur, tamam si kishte parathënë Jezui. (Luka 19:43, 44) Sipas një llogaritjeje të përafërt, «në Jerusalem dhe në pjesën tjetër të vendit mbetën të vrarë afërsisht 500.000 njerëz».

TRIUMFI I NJË PERANDORIE

Në vitin 71 të e.s. Titi u rikthye në Itali ku u mirëprit në mënyrë madhështore nga qytetarët e Romës. I gjithë qyteti festoi teksa zhvillohej një nga paradat më të mëdha triumfuese në kryeqytet.

Turmat u mrekulluan ndërsa panë një shfaqje të pasurive të jashtëzakonshme nëpër rrugët e Romës. U ndrinin sytë nga gëzimi ndërsa shihnin anijet e vogla që solli ushtria, platformat e mëdha që përshkruanin skenat e betejës nga lufta dhe objektet e plaçkitura nga tempulli i Jerusalemit.

Në vitin 79 të e.s Titi u bë perandor në vend të të atit, Vespasianit. Por vetëm dy vjet më vonë, Titi vdiq papritmas. Në fron hipi i vëllai, Domiciani, i cili ndërtoi menjëherë një hark triumfi në nder të Titit.

HARKU SOT

Harku i Titit në Romë sot

Sot Harku i Titit admirohet jashtë mase nga qindra mijë njerëz që vizitojnë çdo vit Forumin Romak. Disa e shohin harkun si një vepër arti madhështore, të tjerë si një monument nderi për fuqinë perandorake të Romës, ndërsa të tjerë akoma si përkujtimore për rënien e Jerusalemit dhe të tempullit të tij.

Gjithsesi, ata që e lexojnë me kujdes Biblën, e konsiderojnë Harkun e Titit si diçka me domethënie më të madhe. Ai është një dëshmi e heshtur që vërteton sa të besueshme dhe të sakta janë profecitë e Biblës dhe tregon se janë të frymëzuara nga Perëndia.​—2 Pjetrit 1:19-21.