Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Astrologjia dhe parashikimi i fatit—Dritare për të ardhmen?

Astrologjia dhe parashikimi i fatit—Dritare për të ardhmen?

ASTROLOGJIA

Astrologjia është një lloj falli sipas të cilit yjet, hëna dhe planetët kanë ndikim domethënës në jetën e njerëzve në tokë. Astrologët pretendojnë se pozicioni i këtyre trupave qiellorë kur lind dikush, përcakton personalitetin dhe të ardhmen e tij.

Edhe pse astrologjia i ka rrënjët në Babiloninë e lashtë, ajo është ende goxha e përhapur. Sipas një ankete që u bë më 2012 në Shtetet e Bashkuara, një e treta e të anketuarve mendonte se astrologjia ishte «disi e lidhur me shkencën» dhe 10 për qind e konsideronte «tërësisht shkencore». Por, a është vërtet kështu? Jo. Ja disa arsye.

  • Planetët dhe yjet nuk kanë fuqi të ndikojnë në jetën e njerëzve në atë mënyrë që thonë astrologët.

  • Shpesh parashikimet janë kaq të përgjithshme, sa mund të zbatohen për këdo.

  • Sot përllogaritjet astrologjike bëhen sipas bindjes së lashtë se planetët rrotullohen rreth Tokës. Në fakt, planetët rrotullohen rreth Diellit.

  • Parashikimet e astrologëve të ndryshëm për të njëjtin person nuk përputhen.

  • Astrologjia i klasifikon njerëzit në një nga 12 kategoritë, ose shenjat e horoskopit, në bazë të datës së lindjes. Për shkak të ndryshimeve të pozicionit të Tokës në hapësirë përgjatë shekujve, datat që përkojnë me shenjat e horoskopit, nuk korrespondojnë më me kohën kur dielli përshkon yjësitë nga kanë marrë emrin këto shenja.

Thuhet se shenjat e horoskopit mund të zbulojnë disa tipare karakteri. Por, në të vërtetë, njerëzit që kanë të njëjtën ditëlindje nuk kanë veçori të njëjta; ditëlindja nuk tregon asgjë për personalitetin e dikujt. Në vend që t’i shohin njerëzit me sy objektiv, astrologët e gjykojnë sjelljen dhe karakterin e tyre në bazë të disa supozimeve. A nuk është ky një lloj paragjykimi?

PARASHIKIMI I FATIT

Që në lashtësi njerëzit u janë drejtuar parashikuesve të fatit. Disa fallxhorë kërkonin të zbulonin diçka nëpërmjet të përbrendshmeve të kafshëve ose të njerëzve apo nëpërmjet mënyrës se si një gjel çukiste drithin. Të tjerë bënin parashikime të bazuara te vijat e gjetheve të çajit ose te shenjat që linte llumi i kafesë. Kurse sot, për «të lexuar» të ardhmen, përdorin letrat tarot, sferat e kristalta, zaret dhe mjete të tjera. A është parashikimi i fatit një mënyrë e besueshme për të ditur të ardhmen? Jo! Le të zbulojmë pse.

Mendo për çështjen e koherencës. Parashikimet e fatit me metoda të ndryshme shpesh janë kontradiktore. Megjithatë, parashikimet ndryshojnë nga njëri-tjetri edhe kur përdoret e njëjta metodë. Për shembull, nëse dikush u bën dy fallxhorëve të njëjtën pyetje për «t’i lexuar» të ardhmen me anë të të njëjtave letra, logjikisht përgjigjet duhet të jenë të njëjta. Ama, shpesh nuk ndodh kështu.

Metodat ose motivet e parashikuesve të fatit janë vënë në diskutim. Kritikët thonë se letrat apo sferat e kristalta janë thjesht mjete dhe, një parashikues fati në vend që të lexojë këto mjete, lexon reagimet e personit. Për shembull, një fallxhor i aftë bën pyetje të përgjithshme dhe u kushton vëmendje fjalëve ose reagimeve që mund t’i zbulojnë diçka për klientin. Pastaj, fallxhori merr meritën për zbulimin e fakteve a të ngjarjeve që, pa e kuptuar, klienti ia ka treguar vetë. Disa parashikues fati u kanë zhvatur klientëve shuma të mëdha parash, pasi kanë fituar besimin e tyre.

ÇFARË THOTË BIBLA

Sipas praktikës së astrologjisë dhe të parashikimit të fatit, e ardhmja jonë është e paracaktuar. A është kështu? Bibla thotë se kemi aftësinë të zgjedhim çfarë duam të besojmë apo të bëjmë, dhe se zgjedhjet tona ndikojnë tek e ardhmja jonë.​—Josiu 24:15.

Adhuruesit e Perëndisë kanë një arsye më shumë pse duhet ta hedhin poshtë astrologjinë dhe parashikimin e fatit: Zoti dënon çdo lloj falli. Në Bibël lexojmë këto fjalë: «Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata . . . që hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure, ndonjë shtrigë, ndonjë që ysht të tjerët, që këshillohet me një medium ose me dikë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve a ndonjë që pyet të vdekurit. Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.» *​—Ligji i përtërirë 18:10-12.

^ Emri i ‘Më të Lartit në tërë dheun’.​—Psalmi 83:18.