Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Pse njerëzit në kohët biblike përdornin bitum në vend të llaçit?

▪ Bibla thotë për ndërtuesit e kullës së Babelit se përdorën «tulla në vend të gurëve, dhe bitum në vend të llaçit».​—Zanafilla 11:3.

Bitumi gjendet në kushte natyrore. Vjen nga nafta e papërpunuar dhe gjendet lehtësisht në Mesopotami, ku buron nga toka dhe ngurtësohet. Në kohët biblike, bitumi njihej si një ngjitës i mirë. Ai ishte «i përshtatshëm për ndërtesat e bëra me tulla të pjekura»,—thotë një vepër referimi.

Artikulli i një reviste përshkruan një vizitë të kohëve të fundit në rrënojat e një zigurati (kullë në formë piramide) në qytetin e lashtë të Urit, në Mesopotami. «Llaçi prej bitumi, një nga përdorimet e para të zonave të paana naftëmbajtëse në jug të Irakut, është ende i dukshëm ndërmjet tullave të pjekura,—thotë autori.—Substanca e zezë ngjitëse, që sot është burim paqëndrueshmërie e dhune në rajon, dikur e bashkonte në mënyrë të mirëfilltë këtë qytetërim. Bitumi që përdorej si llaç, si edhe në shtrimin e rrugëve, nuk ka lejuar që uji të depërtonte në tullat e brishta prej balte të Sumerisë, prandaj strukturat kanë mbijetuar për mijëvjeçarë.»​—Archaeology.

Çfarë lloj ‘letre’ ekzistonte në kohët biblike?

▪ Kjo pyetje lind natyrshëm për shkak të një komenti të shkrimtarit biblik Gjon: «Megjithëse kam shumë gjëra për t’ju shkruar, nuk dëshiroj ta bëj me letër e me bojë.»​—2 Gjonit 12.

Fjala greke khártes, e cila këtu përkthehet «letër», i referohet letrës që bëhej nga papirusi, një bimë ujore. Ja si e përshkruan një vepër referimi teknikën si bëheshin fletët e shkrimit nga kërcejtë e kësaj bime: «Kërcejtë, që ndonjëherë arrijnë deri në 3 metra, qëroheshin, priteshin në rripa të hollë dhe viheshin në radhë për të formuar shtresa. Shtresat viheshin kryq me njëra-tjetrën. Më pas këto fletë rriheshin me një çekiç druri dhe në fund lëmoheshin me një vegël lëmuese.»

Arkeologët kanë zbuluar mjaft dokumente papirusi në Egjipt dhe në zonën përreth Detit të Vdekur. Disa papiruse me Shkrime të Shenjta që janë zbuluar në këto zona, janë të kohës së Jezuit; ndoshta edhe më të hershme. Ka shumë mundësi që letrat e Biblës, si ato që shkruan apostujt, të jenë shkruar në këtë material.

[Burimet e figurave në faqen 11]

Spectrumphotofile/​photographersdirect.com

© FLPA/​David Hosking/​age fotostock