Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lexuesit pyesin . . .

Pse Perëndia kërkoi që adhuruesit e tij të martohen vetëm me bashkëbesimtarë?

Pse Perëndia kërkoi që adhuruesit e tij të martohen vetëm me bashkëbesimtarë?

▪ Ligji që Perëndia i dha kombit të Izraelit përfshinte edhe këtë urdhër në lidhje me njerëzit e kombeve përreth: «Mos lidh krushqi me ta. Bijat e tua mos ua jep bijve të tyre dhe bijat e tyre mos i merr për bijtë e tu.» (Ligji i përtërirë 7:3, 4) Pse u dha një urdhër të tillë?

Në shkallë kombëtare, Jehovai e dinte se Satanai donte ta korruptonte popullin e Tij, duke e kthyer në adhurimin e perëndive të rreme. Prandaj Perëndia vazhdoi t’i paralajmëronte se jobesimtarët ‘do t’i largonin bijtë e Izraelit nga Ai dhe ata do t’u shërbenin perëndive të tjera’. Këtu viheshin në lojë shumë gjëra. Nëse kombi i Izraelit do të niste t’u shërbente perëndive të tjera, do ta humbnin miratimin dhe mbrojtjen e Perëndisë, duke u bërë kështu pre e lehtë për armiqtë. Atëherë, si mund të vinte Mesia i premtuar nga ai komb? Qartë, Satanai kishte arsye që t’i joshte izraelitët për t’u martuar me jobesimtarë.

Nga ana tjetër, të mos harrojmë se Perëndia interesohej edhe për secilin individ në popullin e tij. Ai e dinte se lumturia dhe mirëqenia e secilit varej nga lidhja e ngushtë me Perëndinë e tyre. A kishte baza të forta Jehovai që të merakosej për ndikimin e rrezikshëm të një bashkëshorti jobesimtar? Shqyrto shembullin e mbretit Solomon. Ai e njihte paralajmërimin e Jehovait për gratë jobesimtare: «[Ato] kanë për ta kthyer zemrën tuaj që të ndjekë perënditë e tyre.» Ngaqë ishte jashtëzakonisht i mençur, ndoshta kishte filluar të mendonte se nuk i nevojitej këshilla e Perëndisë, se ajo nuk zbatohej për të. Ai e shpërfilli këshillën. Cilat ishin pasojat? «Pak e nga pak gratë e tij ia kthyen zemrën . . . që të ndiqte perëndi të tjera.» Ç’tragjedi! Vetë Solomoni humbi miratimin e Jehovait dhe populli i tij u përça si mos më keq ngaqë ai u tregua jobesnik.​—1 Mbretërve 11:2-4, 9-13.

Disa ndoshta arsyetojnë se kishte edhe përjashtime. Për shembull, izraeliti Mahlon u martua me moabiten Ruthë, dhe ajo u bë një besimtare e shquar. Por të martoheshe me gra moabite ishte vendim i rrezikshëm. Mahloni nuk lavdërohet se u martua me një moabite. Ai vdiq i ri, ka të ngjarë para se Rutha të bëhej adhuruese e Jehovait. Vëllai i Mahlonit, Kilioni, u martua me moabiten Orpa, e cila mbeti e lidhur me «perënditë e saj». Nga ana tjetër, Boazi u martua me Ruthën ca kohë pasi ajo u bë besimtare. Në fakt, më vonë judenjtë e konsideronin atë «një prozelite të përsosur». Martesa e Ruthës me Boazin ishte një bekim për të dy.​—Rutha 1:4, 5, 15-17; 4:13-17.

Atëherë, a është e mençur të arsyetojmë se shembulli i Mahlonit dhe i Ruthës deri diku bie në kundërshtim me këshillën e Jehovait për t’u martuar vetëm me bashkëbesimtarë? Ky arsyetim do të ishte njësoj si të argumentonim se bixhozi duhet të jetë një mënyrë e pranueshme për të siguruar jetesën, ngaqë një bixhozçi ka fituar një shumë të madhe parash.

Bibla i nxit të krishterët sot të martohen «vetëm në Zotërinë». Ajo i paralajmëron që të mos futen «nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët». Kjo këshillë u drejtohet të krishterëve të vërtetë që po kërkojnë bashkëshort. Për ata që tashmë janë martuar me jobesimtarë, këshillat biblike i ndihmojnë t’i përballojnë sa më mirë situatat e vështira. (1 Korintasve 7:12-16, 39; 2 Korintasve 6:14) Të gjitha këto këshilla tregojnë se Perëndia Jehova, Nismëtari i martesës, do që të jemi të lumtur si adhurues të tij​—beqarë a të martuar.