Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mëso nga Fjala e Perëndisë

Si ndikojnë engjëjt dhe demonët te ne?

Si ndikojnë engjëjt dhe demonët te ne?

Ky artikull shqyrton pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.

1. Cilët janë engjëjt?

Engjëjt janë krijesa të padukshme që jetojnë në ­qiell. Janë një formë jete shumë më e lartë se jeta njerëzore. Perëndia i vërtetë, i cili edhe vetë është person i padukshëm që banon në qiell, i krijoi engjëjt para se të krijonte tokën. (Jobi 38:4, 7; Mateu 18:10) Jehovai është i rrethuar nga miliona engjëj besnikë.​—Lexo Psalmin 103:20, 21; Danielin 7:9, 10.

2. A i ndihmojnë engjëjt njerëzit?

Engjëjt ndihmuan një njeri të drejtë që quhej Lot. Ai jetonte në një qytet që Perëndia kishte vendosur ta shkatërronte, ngaqë njerëzit ishin të ligj. Dy engjëj e paralajmëruan Lotin dhe familjen e tij që të iknin. Disa menduan se ky paralajmërim ishte shaka dhe s’ia vunë veshin. Por Loti me vajzat e tij mbijetuan, sepse iu bindën këtij paralajmërimi që Perëndia ua dha me anë të engjëjve.​—Lexo Zanafillën 19:1, 13-17, 26.

Sipas Biblës, engjëjt po i ndihmojnë njerëzit sot. Engjëjt po drejtojnë veprën e atyre që e predikojnë me besnikëri lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 24:14) Lajmi i mirë përfshin një paralajmërim. Ashtu si paralajmërimi që iu dha Lotit, edhe ky nuk është shaka. Perëndia na e ka dërguar nëpërmjet engjëjve.​—Lexo Zbulesën 1:1; 14:6, 7.

Perëndia mund t’i përdorë engjëjt që të na forcojë përballë sprovave. Ai përdori një engjëll për të forcuar Jezuin.​—Lexo Lukën 22:41-43.

Së shpejti Perëndia do t’i përdorë engjëjt në një mënyrë tjetër​—që të shfarosë njerëzit e ligj që shkaktojnë vuajtje. Kjo do t’i sjellë lehtësim të madh njerëzimit.​—Lexo 2 Selanikasve 1:6-8.

3. Si ndikojnë demonët te ne?

Ashtu si shumë njerëz në tokë kanë vepruar keq duke mos iu bindur Perëndisë, edhe në qiell shumë engjëj janë rebeluar ndaj tij. (2 Pjetrit 2:4) Engjëjt e pabindur quhen demonë. Kryesori ndër ta është Satanai, Djalli. Satanai dhe demonët e tij po mashtroj­në njerëzimin.​—Lexo Zbulesën 12:9.

Satanai ka përdorur bizneset e korruptuara, qeveritë njerëzore dhe fetë e rreme që të ndikojë te njerëzit dhe t’i largojë nga Perëndia. Kështu, Satanai është përgjegjës për padrejtësitë, dhunën dhe vuajtjet që mundojnë njerëzimin.​—Lexo 1 Gjonit 5:19.

4. Si i mashtrojnë demonët njerëzit?

Satanai ka mashtruar mjaft veta duke mësuar se të vdekurit bëhen shpirtra që mund të komunikojnë me njerëzit. Gjithsesi, Bibla thotë se të vdekurit nuk mund të bëjnë asgjë. (Eklisiastiu 9:5) Por shpesh demonët i mashtrojnë njerëzit duke imituar zërin e njerëzve të dashur që u kanë vdekur. (Isaia 8:19) Këta engjëj të ligj i mashtrojnë të tjerët me anë të mediumeve, parashikuesve të fatit, fallxhorëve dhe astrologëve. Fjala e Perëndisë na paralajmëron të mos merremi me asnjë praktikë të tillë. Prandaj duhet të heqim qafe çdo zotërim që ka lidhje me demonët dhe okultizmin.​—Lexo Ligjin e përtërirë 18:10, 11; Veprat 19:19.

Nëse e duam Jehovain, nuk duhet të jetojmë me frikë nga demonët. Kur studiojmë dhe zbatojmë Fjalën e Perëndisë, i kundërvihemi Djallit dhe i afrohemi Perëndisë. Jehovai është më i fuqishëm se demonët. Engjëjt e tij besnikë mund të na forcojnë kur kemi nevojë.​—Lexo Psalmin 34:7; Jakovin 4:7, 8.

Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 10, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.