Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur e ke të qartë identitetin tënd, mund t’u bësh ballë stuhive të fuqishme

PËR TË RINJTË

9—Identiteti

9—Identiteti

ÇFARË DO TË THOTË

Identiteti nuk përfshin vetëm emrin dhe paraqitjen, por edhe vlerat, bindjet dhe personalitetin tënd. Po, identiteti yt përfshin çdo gjë që përcakton se kush je ti, si brenda, edhe jashtë.

PSE KA RËNDËSI

Kur e ke të qartë identitetin tënd, do të jesh në gjendje t’i mbrosh bindjet e tua, në vend që t’i lejosh bashkëmoshatarët të të kenë nën kontroll.

«Shumë janë si manekinët nëpër vitrina, të cilët nuk i zgjedhin vetë rrobat; vendosin të tjerët për ta.»​—Adriani.

«Kam mësuar si të mbroj atë që është e drejtë, edhe kur është e vështirë. E kuptoj cilët janë miqtë e mi të vërtetë kur shoh si sillen dhe si sillem unë kur jam me ta.»​—Kortni.

PARIMI BIBLIK: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote, por shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj.»​—Romakëve 12:2.

Ç’MUND TË BËSH

Mendo ç’lloj personi je dhe ç’lloj personi do që të bëhesh, duke analizuar pikat e forta, të dobëta, si dhe bindjet e tua. Një mënyrë e mirë për ta nisur, është t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve.

Pikat e forta: Ç’talente e aftësi kam? Cilat janë pikat e mia të forta? (Për shembull: a jam i përpiktë, punëtor, bujar dhe a kam vetëkontroll?) Ç’të mira bëj?

SUGJERIM: A e ke të vështirë të dallosh gjërat pozitive te vetja? Pyet prindin ose një mik të besuar ç’pika të forta sheh te ti dhe si i shfaq specifikisht.

PARIMI BIBLIK: «Secili të tregojë me prova se si është vepra e vet, dhe atëherë do të ketë shkak të ngazëllohet vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër.»​—Galatasve 6:4.

Pikat e dobëta: Në cilat aspekte të personalitetit duhet të punoj më shumë? Kur ka më tepër të ngjarë të tundohem të bëj diçka të gabuar? Në cilat fusha mund të tregoj më shumë vetëkontroll?

PARIMI BIBLIK: «Nëse themi: ‘Nuk kemi asnjë mëkat’, mashtrojmë veten.»​—1 Gjonit 1:8.

Bindjet: Çfarë normash morale kam dhe pse? A besoj te Zoti? Cilat prova më kanë bindur se Ai ekziston? Cilat veprime më duken të padrejta dhe pse? Çfarë besoj se do të ndodhë në të ardhmen?

PARIMI BIBLIK: «Aftësia për të menduar do të të ruajë, aftësia dalluese do të të mbrojë.»​—Proverbat 2:11.