Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Njohjet—Pjesa 2: Çfarë duhet të pres?

Njohjet—Pjesa 2: Çfarë duhet të pres?

 Të pëlqen dikush që ke takuar dhe të dy keni rënë dakord të njiheni më shumë për të kuptuar nëse do të ishit bashkëshortë të përshtatshëm për njëri-tjetrin. Çfarë duhet të prisni ndërsa njiheni më mirë?

Në këtë artikull

 Do t’ju duhet të flisni hapur

 Ti dhe shoku ose shoqja jote do të mësoni shumë për njëri-tjetrin teksa kaloni kohë së bashku. Disa gjëra do t’i mësosh duke vëzhguar sjelljen e personit tjetër në situata të ndryshme.

 Megjithatë ka disa gjëra për të cilat duhet të flisni hapur. Ndërsa e bëni këtë, mundohu të jesh sa më objektiv, pra të mos lejosh emocionet të të errësojnë gjykimin.

 Ja disa tema për të cilat duhet të flisni hapur:

  •   Paratë. A ke ndonjë borxh? A e ke të vështirë t’i shpenzosh me mençuri paratë? Nëse martoheni, si do t’i merrni vendimet për të ardhurat dhe shpenzimet ti dhe bashkëshorti?

  •   Shëndeti. A ke shëndet të mirë? A ke pasur ndonjë problem të rëndë me shëndetin në të kaluarën?

  •   Synimet. Çfarë dëshiron të arrish në jetë? A përputhen synimet e tua me ato të shokut ose shoqes sate? Pas martese, a do të jesh ende i lumtur nëse rrethanat të pengojnë të arrish synimet e tua?

  •   Familja. Aktualisht, a ke ndonjë detyrim familjar? Çfarë detyrimesh parashikon të kesh në të ardhmen? A dëshiron fëmijë? Nëse po, sa?

 Ji i sinqertë dhe i ndershëm ndërsa diskutoni këto tema. Mos mbaj të fshehta, as mos i shtrembëro faktet thjesht për të lënë përshtypje të mirë.—Hebrenjve 13:18.

 Për të menduar: Çfarë ke nevojë të dish për personin me të cilin po njihesh? Çfarë duhet të dijë ai ose ajo për ty? Si do t’ju ndihmojë ndershmëria që tregoni tani të keni një komunikim të hapur më vonë nëse vendosni të martoheni?

 Parim nga Bibla: «Secili t’i thotë të vërtetën tjetrit.»—Efesianëve 4:25.

 «Vajza mund të mendojë: ‘Për 6 muaj besoj do të jemi të fejuar.’ Kurse djali mund të mendojë se i duhet një vit. Në këtë rast, vajza mund të lëndohet ose të ndihet konfuze, ngaqë mendonte se do t’i premtonin njëri-tjetrit më shpejt. Është shumë e rëndësishme që të dy të dinë si mendon tjetri për këtë çështje.»—Ariana, e martuar nga 1 vit.

 Do të keni opinione të ndryshme

 Nuk ka dy njerëz njësoj. Prandaj mos mendo se ti dhe personi me të cilin po njihesh, do të mendoni njësoj për gjithçka ose se do të ndiheni njësoj për gjërat. Faktorë të tillë si, kultura dhe mënyra si jeni rritur, mund të ndikojnë tek opinioni i secilit.

 Për të menduar: Kur keni opinione të ndryshme për çështje që s’kanë shumë rëndësi, a jeni të dy të gatshëm të hapni rrugë për hir të paqes, për sa kohë nuk shkelet ndonjë normë e Biblës?

 Parim nga Bibla: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë.»—Filipianëve 4:5.

 «Mbase mendon se jeni fiks për njëri-tjetrin, gjithsesi mbaj parasysh se nuk do të bini dakord për çdo gjë. Edhe pse është e rëndësishme të keni të përbashkëta, cilësitë që shfaqni kur përballeni me këndvështrime të ndryshme, janë edhe më të rëndësishme.»—Methju, i martuar nga 5 vjet.

 Do të provoni stres

 Kuptohet që njohja do të të marrë një pjesë të mirë të kohës dhe mund të të shkaktojë njëfarë stresi. Ç’mund të të ndihmojë?

 Vendos kufij të arsyeshëm. Mos u përqendro kaq shumë te kjo marrëdhënie e re, sa të lësh pas dore përgjegjësitë e tua ose miqtë. Alana, e martuar prej 5 vjetësh, thotë: «Edhe pasi të martohesh do të kesh nevojë për miqtë, dhe ata do të kenë nevojë për ty. Mos i shpërfill vetëm se ke filluar të njihesh me dikë.»

 Ki parasysh se kur të martohesh, do të të duhet të gjesh ekuilibrin mes të gjitha aspekteve të jetës. Pse të mos përpiqesh ta gjesh këtë ekuilibër tani që po njihesh me dikë?

 Për të menduar: A kërkon një sasi të paarsyeshme kohe dhe vëmendjeje nga personi me të cilin po njihesh? A të duket sikur tjetri po kërkon tepër nga ti? Si mund të jeni të dy të ekuilibruar në mënyrë që asnjëri të mos ndihet i sfilitur emocionalisht ose sikur kjo lidhje po i zë frymën?

 Parim nga Bibla: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, ka një kohë për çdo punë.»—Eklisiastiu 3:1.

 «Nëse çiftet që po njihen, bëjnë vetëm aktivitete zbavitëse, martesa mund t’u rezervojë surpriza të pakëndshme. Është mirë që çiftet të marrin pjesë në aktivitete të jetës së përditshme të tilla, si: pazari, punët e shtëpisë, si dhe të adhurojnë Perëndinë së bashku. Kjo mund t’i ndihmojë të hedhin një themel të fortë për martesën e tyre.»—Danieli, i martuar nga 2 vjet.

 Mos harro, njohja është një periudhë e përkohshme që ju ndihmon të merrni këtë vendim: ose të martoheni, ose t’i jepni fund lidhjes romantike. Pjesa 3 e kësaj serie do të trajtojë se çfarë duhet të mbani parasysh kur të merrni vendimin.