Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si të shkoj mirë me mësuesin?

Si të shkoj mirë me mësuesin?

 «Ai mësues është tmerri im»

 Herët a vonë, pothuajse çdo nxënës do të ketë një mësues që duket i padrejtë, tepër kërkues ose thjesht i keq.

  •   Luisi, 21 vjeç, kujton: «Kisha një mësuese që thoshte gjithë kohës fjalë të pista dhe i trajtonte keq nxënësit. Së shpejti do të dilte në pension, e ndoshta për këtë arsye nuk e vriste mendjen që mund ta pushonin nga puna.»

  •   Melania, 25 vjeçe, kujton që mësuesja e kishte kapur keq me të. Ajo tregon: «Justifikimi i saj se pse ma nxinte jetën ishte ngaqë nuk bëja pjesë në një nga fetë kryesore. Më thoshte se duhej të mësohesha me idenë që të tjerët do të më keqtrajtonin.»

 Nëse ke një mësues të vështirë, s’ka pse të mendosh se të pret një vit shkollor i tmerrshëm. Ja disa sugjerime që do të të ndihmojnë.

 Si t’ia dalësh mbanë

  •   Ji elastik. Mësues të ndryshëm presin gjëra të ndryshme nga nxënësit. Ndaj përpiqu të kuptosh çfarë pret prej teje mësuesi dhe bëj çmos që ta kënaqësh.

     Parim nga Bibla: «I mençuri dëgjon dhe mëson më shumë.»—Proverbat 1:5.

     «Kuptova se duhej të përshtatesha me preferencat e mësueses, prandaj përpiqesha shumë t’i bëja detyrat fiks siç i kërkonte ajo. Kjo ma bëri më të lehtë që të shkoja mirë me të.»—Kristoferi.

  •   Trego respekt. Përpiqu të flasësh me edukatë me mësuesit. Mos ia kthe kurrë flakë për flakë një mësuesi, edhe nëse mendon se e ka hak. Mos harro se, me të drejtë, ata të konsiderojnë si nxënës dhe jo si shokun e tyre.

     Parim nga Bibla: «Fjalët tuaja të jenë gjithnjë të hijshme e të lezetuara me kripë, që të dini si t’i përgjigjeni gjithsecilit.»—Kolosianëve 4:6.

     «Mësuesit nuk marrin gjithmonë respektin që meritojnë nga nxënësit. Ja pse përpjekjet e tua për t’u treguar respekt, do të ndikojnë goxha te mënyra si të trajtojnë.»—Kiara.

  •   Ji mirëkuptues. Edhe mësuesit njerëz janë. Pra, edhe ata kanë strese dhe ankthe, si çdo njeri tjetër. Ndaj mos nxirr shpejt përfundimin «mësuesi im është i keq» ose «mësuesi më ka inat».

     Parim nga Bibla: «Të gjithë ne gabojmë.»—Jakovi 3:2.

     «Mësuesit nuk kanë punë të lehtë. Është e vështirë të mbash nën kontroll gjithë ata nxënës e njëkohësisht t’i edukosh. Gjithmonë kam menduar se duhej t’ua lehtësoja punën dhe bëja çmos që të kishin një nxënës më pak për t’u marrë.»—Aleksa.

  •   Fol me prindërit. Prindërit janë mbështetësit e tu më të mirë. Duan që të kesh sukses në shkollë dhe këshillat e tyre mund të të ndihmojnë kur ke probleme me një mësues.

     Parim nga Bibla: «Planet prishen kur nuk konsultohesh.»—Proverbat 15:22.

     «Prindërit kanë shumë më tepër përvojë se të rinjtë për zgjidhjen e problemeve. Prandaj vëru veshin këshillave të tyre. Mund të të ndihmojnë të kesh sukses.»—Olivia.

 Si të flasësh me mësuesin

 Me raste duhet të flasësh me mësuesin për problemet që ke me të. Nëse të tremb ideja e ballafaqimit, mos u shqetëso se nuk bëhet fjalë për debat. Është thjesht një bashkëbisedim që për habinë tënde mund të jetë më i lehtë dhe mund të sjellë rezultate të mira.

 Parim nga Bibla: ‘Bëj çmos t’i hapësh rrugë paqes.’—Romakëve 14:19.

 «Nëse duket se mësuesja sillet keq vetëm me ty, pyete mos ke bërë diçka që e ka mërzitur. Përgjigjja mund të të ndihmojë të kuptosh ku të përmirësosh.»—Juliana.

 «Do të ishte më mirë të bisedoje veçmas me mësuesin para ose pas mësimit dhe t’i shpjegoje me qetësi si ndihesh, me shpresën se ai do të tregohet i arsyeshëm dhe do të të respektojë për mënyrën si po përpiqesh ta rregullosh situatën.»—Beniamini.

 HISTORI REALE

 «Po merrja shumë nota të këqija dhe mësuesja s’më ndihmonte fare. Madje po ma nxinte jetën, ndaj doja ta lija shkollën.

 Fola për këtë me një mësues tjetër. Ai më tha: ‘Mësuesja nuk të njeh mirë ty, por as ti nuk e njeh mirë. Duhet të flasësh me të për vështirësitë që po kalon. Mbase kështu do të ndihmosh edhe nxënësit e tjerë që kanë frikë ta bëjnë këtë.’

 Kjo ishte gjëja e fundit që doja të bëja. Por pasi mendova mirë për atë që më tha mësuesi, kuptova se kishte të drejtë. Nëse doja që gjërat të ndryshonin, duhet ta hidhja unë hapin e parë.

 Kështu të nesërmen shkova te mësuesja dhe i shpjegova me respekt se e vlerësoja vërtet lëndën e saj dhe se doja të përfitoja sa më shumë. Por e kisha të vështirë dhe nuk dija si t’ia bëja. Ajo më dha disa sugjerime e madje u ofrua të më ndihmonte pas mësimit ose me anë të email-it.

 Mbeta pa fjalë. Falë asaj bisede, arrita të shembja murin që ishte ngritur mes meje e mësueses dhe pastaj shkolla nuk ishte më aq gogol.»—Maria.

 Sugjerim: Nëse ke probleme me një mësues, konsideroje këtë si një stërvitje për të ardhmen. Keti, 22 vjeçe, thotë: «Pasi të mbarosh shkollën, me siguri do të hasësh njerëz me autoritet që s’do të tregohen gjithnjë të mirë. Nëse ia del të përballosh vështirësitë me një mësues sot, do të jesh më i përgatitur për të përballuar njerëzit e vështirë në të ardhmen.»