Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Pse të kërkoj falje?

Pse të kërkoj falje?

 Çfarë do të bëje në situatat e mëposhtme?

  1.   Mësuesi të flet para klasës ngaqë nuk je sjellë mirë gjatë orës së mësimit.

     A duhet t’i kërkosh falje, edhe nëse mendon se ai po e ekzagjeron?

  2.   Një shoqe merr vesh që ke folur keq për të.

     A duhet t’i kërkosh falje, edhe nëse mendon se i meritonte ato fjalë?

  3.   Ti mërzitesh me babin dhe për pasojë i flet pa respekt.

     A duhet t’i kërkosh falje, edhe nëse mendon se kishe të drejtë?

 Përgjigjja për të tria është po. Por pse të thuash «Më fal», edhe kur të duket se nuk e ke plotësisht gabim?

 Pse të kërkoj falje?

  •   Kur kërkon falje, tregon pjekuri. Kur mban përgjegjësi për gjërat që thua dhe bën, tregon se po zhvillon cilësi të domosdoshme që do të të vlejnë kur të rritesh.

     «Përulësia dhe durimi të ndihmojnë të kërkosh falje dhe pastaj të dëgjosh atë që ka për të thënë tjetri.»—Rejçëlli.

  •   Kur kërkon falje, mund të bësh paqe. Njerëzit që thonë «Më fal», tregojnë se shqetësohen më shumë për paqen me të tjerët se sa për të gjetur fajtorin.

     «Edhe nëse mendon se s’ke faj, synimi yt duhet të jetë të bësh paqe. S’kushton asgjë të thuash ‘Më fal’, ama këto fjalë mund të rimëkëmbin një miqësi.»—Miriami.

  •   Kur kërkon falje, ndihesh më mirë. Kur ke lënduar dikë me fjalët ose veprimet e tua, ndjenjat e fajit janë një peshë e rëndë për t’u mbajtur. Por, njëherë që kërkon të falur, e heq këtë peshë nga supet. a

     «Me raste u kam folur tërë nerva mamit dhe babit. Edhe pse ndihesha keq, e kisha të vështirë të kërkoja falje. Ama, kur thosha më fal, gjithmonë ndihesha më mirë sepse në shtëpi kishte përsëri paqe.»—Nia.

    Ndjenjat e fajit janë një peshë e rëndë për t’u mbajtur. Por, njëherë që kërkon të falur, e heq këtë peshë nga supet

 A është e lehtë të kërkosh falje? Jo. Dena, një e re që i ka kërkuar shpesh falje mamasë kur tregohej e pasjellshme, pranon: «S’është e lehtë të thuash ‘Më fal’. Sikur të mblidhet një lëmsh në grykë dhe s’nxjerr dot asnjë fjalë.»

 Si të kërkoj falje?

  •   Nëse është e mundur, kërko falje ballë për ballë. Kështu tjetri mund ta kuptojë se je penduar vërtet. Nga ana tjetër, nëse i dërgon një mesazh për t’i thënë ‘Më fal’, ndoshta s’do të ketë të njëjtin efekt. Edhe po dërgove një emoji me fytyrë të trishtë, mesazhi mund të duket i ftohtë dhe fallso.

     Sugjerim: Nëse nuk ke mundësi t’i kërkosh falje ballë për ballë, pse të mos e marrësh në telefon ose t’i shkruash një kartolinë? Cilëndo mënyrë të përdorësh, mendoji mirë fjalët.

     Parim nga Bibla: «Zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet.»—Proverbat 15:28.

  •   Kërko falje sa më shpejt. Sa më shumë ta zvarritësh, aq më shumë zmadhohet problemi dhe aq më e sikletshme bëhet marrëdhënia mes teje dhe personit të lënduar.

     Sugjerim: Vër një synim, për shembull: «Do të kërkoj falje sot.» Përcakto një afat dhe atë ditë kërko falje.

     Parim nga Bibla: «Rregulloji shpejt punët.»—Mateu 5:25.

  •   Kërko falje nga zemra. Nuk po kërkon vërtet falje kur thua «Më vjen keq që ndihesh kështu». Një e re e quajtur Xhanelë, thotë: «Zakonisht, kur tjetri mban përgjegjësi për atë që ka bërë, fiton respektin e atij që lëndon.»

     Sugjerim: Mos kërko falje me kushte. Me fjalë të tjera, mos jep mesazhin: «Unë do të të kërkoj falje për pjesën time nëse ti kërkon për pjesën tënde.»

     Parim nga Bibla: «Le të bëjmë çmos t’i hapim rrugë paqes.»—Romakëve 14:19.

a Nëse ke dëmtuar ose ke humbur gjërat e dikujt, do të ishte e mençur jo vetëm të kërkoje falje por edhe t’i ofroje njëfarë dëmshpërblimi.