Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si të flas me prindërit për rregullat që më kanë vënë?

Si të flas me prindërit për rregullat që më kanë vënë?

 «Rregullat e prindërve kishin kuptim kur isha 15, por tani që jam 19 vjeçe mendoj se duhet të kem më tepër liri.»Silvia.

 A ndihesh edhe ti si Silvia? Nëse po, artikulli do të të ndihmojë ta trajtosh argumentin me prindërit.

 Çfarë duhet të dish?

 Para se të flasësh me prindërit për rregullat që të kanë vënë, shqyrto pikat më poshtë:

  •  Jeta pa rregulla do të ishte një kaos. Imagjino një rrugë me shumë trafik. Ç’do të ndodhte po të mos kishte sinjalistikë, semaforë dhe limit shpejtësie? Rregullat në shtëpi, ashtu si kodi rrugor, ndihmojnë të mbahet rregulli.

  •  Rregullat tregojnë se prindërit të duan. Nëse nuk do të vinin asnjë rregull, kjo do të tregonte se nuk duan t’ia dinë ç’ndodh me ty. Çfarë prindërish do të ishin?!

 A E DIJE? Edhe prindërit duhet t’u binden disa rregullave. Nëse ke dyshime për këtë, lexo Zanafillën 2:24; Ligjin e përtërirë 6:6, 7; Efesianëve 6:4 dhe 1 Timoteut 5:8.

 Po nëse përsëri mendon se rregullat e prindërve janë të tepërta?

 Ç’mund të bësh?

 Mendo, para se të diskutosh çështjen. A u bindesh zakonisht rregullave të prindërve? Nëse shpesh nuk u bindesh atyre, ndoshta nuk është momenti i duhur për t’u kërkuar më shumë liri. Lexo artikullin: «Si të fitoj besimin e prindërve?»

 Nëse zakonisht u bindesh prindërve, përgatit më parë çfarë do të doje t’u thoshe. Kjo do të të ndihmojë të peshosh sa e arsyeshme është kërkesa që ke. Pastaj, kërkoju prindërve të vendosin një orë dhe vend ku të gjithë të ishit rehat dhe të qetë. Kur të flasësh me prindërit, mbaj parasysh këto gjëra:

 Trego respekt. Bibla thotë: «Një fjalë që shkakton dhembje, ngjall zemërim.» (Proverbat 15:1) Prandaj mos harro: nëse debaton ose i akuzon prindërit për padrejtësi, biseda do të rëndohet shpejt.

 «Sa më shumë i respektoj prindërit, aq më shumë më respektojnë ata mua. E kemi fare të lehtë të biem dakord kur kemi respekt reciprok.»—Bianka, 19 vjeçe.

 Dëgjo. Bibla na thotë që ‘të jemi të shpejtë në të dëgjuar e të mos nxitohemi në të folur’. (Jakovi 1:19) Mbaj parasysh se ti po bashkëbisedon me prindërit, dhe kjo nuk do të thotë vetëm të flasësh, por edhe të dëgjosh.

 «Teksa rritemi, mund të mendojmë se dimë më shumë se prindërit, por kjo s’është aspak e vërtetë. Bëjmë mirë të dëgjojmë këshillat dhe sugjerimet e tyre.»—Devën, 20 vjeçe.

 Vëre veten në vend të prindit. Përpiqu ta shohësh situatën nga këndvështrimi i prindërve. Ndiq këshillën e Biblës që të kesh ‘interes jo vetëm për çështjet e tua, por edhe të të tjerëve’. Në këtë rast, interesat e prindërve.—Filipianëve 2:4.

Cili lloj komunikimi ka më shumë mundësi të përfundojë për mirë?

 «Më parë i shihja prindërit si kundërshtarë dhe jo si shokë skuadre. Por tani e kuptoj se ata thjesht po mësonin si të ishin prindër të mirë, ndërkohë që unë po mësoja si të bëhesha një i rritur i përgjegjshëm. Gjithçka e bënin nga dashuria.»—Xhoshua, 21 vjeç.

 Propozo zgjidhje. Përfytyro sikur do të shkosh në një party, por është një orë larg me makinë dhe prindërit të kanë thënë jo. Zbulo ku e kanë hallin: te distanca apo te festa?

  •   Nëse është distanca, a do të ndryshonin mendje po të shkoje me dikë që është shofer i aftë?

  •   Nëse problemi është party, a do t’i ndihmonte po t’u thoshe cilët do të ishin të pranishëm dhe kush do ta mbikëqyrte festën?

 Mos harro t’u flasësh me respekt dhe t’i dëgjosh me durim. Trego se ‘e nderon atin dhe nënën tënde’ si me fjalë, edhe me qëndrimin tënd. (Efesianëve 6:2, 3) A do të ndryshojnë mendim? Ndoshta. Ndoshta jo. Sido që të jetë . . .

 Pranoje me respekt vendimin e prindërve. Ky është një hap vendimtar që shpesh anashkalohet. Nëse nuk merr çfarë prisje dhe debaton me prindërit, herën tjetër që do të bisedosh me ta, do ta kesh më të vështirë të fitosh më tepër liri. Ndërsa, po të mos kundërshtosh, ka shumë të ngjarë të të japin më tepër liri.